Gjatë hetimeve të video skandalit Meta-Prifti, ekspertët zbuluan edhe një video të tretë përveç asaj të ish-ministrit Prifti me atë të zëvendësit të tij.
Videoja e tretë u deklarua nga vetë prokurori i çështjes “Meta”, zoti Bujar Sheshi, i cili deklaroi në seancën e fundit në Gjykatën e Lartë se kjo video dhe ajo me Beqirin nuk u duhej dhënë ekspertëve shqiptarë, pasi ka gjasa të bjerë në duart e ish-kryeministrit Meta dhe që mund të kthehet në një provë presioni për dëshmitarin kryesor të çështjes.
Video i është dhënë Prokurorisë së Tiranës dhe Task Force e cila ka regjistruar procedimin penal nën akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Prokuroria ka mbajtur sekret faktin e ekzistencës së saj për një kohë të gjatë dhe tani mësohet se për të ka fillua hetimi. Pas transmetimit të lajmit, Top Channel kërkoi nga deputeti prifti të sqaronte brendinë e bisedës, personazhet dhe faktin nëse ai do ta publikonte videon.
Zoti Prifti deklaroi se “video të cilën përmend prokurori në gjyqin ndaj Ilir Metës është një material mes meje dhe Fahri Balliut. Ajo është në dorë të Prokurorisë. Nuk do ta publikoj pasi ajo është sekret për hetimin dhe unë nuk mund të shkel ligjin e hetimit”.
Deri tani, burimet thonë se në video flitet për një aferë në lidhje me një tender për shitje skrapi. Video e tretë, sipas të njëjtave burime, u rikuperua gjatë kontrollit që ekspertët e huaj i bënë video-regjistruesit që deputeti Dritan Prifti dorëzoi në Prokurori për të denoncuar presionin e Ilir Metës për t’i bërë favore një biznesmeni në dhënien me koncension të hidrocentraleve. Por, ndryshe nga sa është thënë deri tani, zoti Prifti ka deklaruar në mbrëmje se videon e ka dorëzuar ai vullnetarisht për hetim dhe se sipas tij ajo nuk është zbuluar nga askush.
Top Channel