SHBA, kujtohet 11 Shtatori

11/09/2011 00:00

Në Shtetet e Bashkuara, kanë nisur ceremonitë përkujtimore në 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në New York, Washington dhe Pensilvani. (UPDATE)

Pas paralajmërimeve për një sulm të mundshëm të Al Kaedës, masat e sigurisë janë shtuar në maksimum. Tre persona janë shpallur në kërkim në Washington dhe në pjesën tjetër të vendit, të dyshuar si pjesëtarë të një celule të rrjetit terrorist, e gatshme të realizojë një tjetër atentat të bujshëm.

Në fjalimin e tij radiofonik të së shtunës, presidenti Obama kërkoi të theksonte se 10 vjet pas tragjedisë, Amerika është më e fortë dhe populli më i prirur të ecë përpara pavarësisht rreziqeve. Megjithate, shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri edhe një herë në dukje se në predispozitën e tij anti-terrorit, vendi nuk duhet të ulë vigjilencën, as javët në vazhdim.

Numri dy i administratës, Joe Biden, ishte bashkë me ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton në Shanksvill të Pensilvanisë për ceremoninë e dedikimit të një memoriali viktimave te Fluturimit 93 të linjës ajrore United, i cili u përplas në një fushë gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Memoriali është prej guri të bardhë dhe kujton përpjekjet e udhëtarëve dhe ekuipazhit për të mposhtur rrëmbyesit dhe për të penguar realizimin e objektivit të tyre.

“Kjo përmendore është një garanci se kombi ynë do t’i kujtojë gjithmonë ata që humbën jetën në 11 shtator. Por, ne kemi një detyrim përtej kujtimit. Kemi një detyrim përtej nderimit. Kemi detyrimin t’i jetojmë jetët tona në mënyrë të tillë që të lartësojnë idealet e këtyre burrave dhe grave. Kemi detyrën të gjejmë si komb një pikësynim të përbashkët”, u shpreh George W. Bush.

“Teksa kujtjomë çfarë ndodhi në New York, Pentagon dhe këtu, ne duhet të nderojmë ata që vdiqën, të falenderojmë të afërmit që mbajnë gjallë kujtimin, të rrisim fëmijët e tyre e të gjejmë forcën për të vazhduar jetën. Mendoj se duhet të falenderojmë presidentin Bush, zëvendëspresidentin Biden dhe presidentin Obama e të gjithë ata që shërbyen përkrah tyre, të cilët nuk lejuan që Amerika të sulmohej sërish”, tha në fjalën e tij Bill Clinton.

“Nuk ka momente të vështira që nuk mund të transformohen në forcë kombëtare. Farat e dyshimet të mbjella nga ata që na duan të keqen do të rriten për tu kthyer në kullota të gjelbra si kjo ku po qëndrojmë sot. Sepse ata nuk munden, ata nuk do të arrijnë të mposhtin shpirtin amerikan”, theksoi Joe Biden.

Viktimat e 11 Shtatorit u kujtuan edhe nëpër botë. Zjarrfikësit në Gjermani ngritën një memorial me çelik të marrë nga Kullat Binjake, italianët i kujtuan në heshtje të vdekurit e 11 Shtatorit, Parisi e bëri homazhin e tij me një riprodhim të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Por pati dhe nga ata që protestuan kundër Shteteve të Bashkuara. Në Pakistan dhjetëra vetë kanë dalë në protestë me pankarta ku amerikanët përshkruheshin si terroristë. Në Londër dy vetë u arrestuan pasi një grup manifestuesish islamikë dogjën flamurin amerikan përpara ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa incidenti më i rëndë, i lidhur ndoshta me këtë përvjetor, ishte shpërthimi i një kamioni-bombë pranë një bazë ushtarake në Afganistan, ku u plagosën 80 ushtarë amerikanë, por asnjëri nuk është në gjendje kritike për jetën.

Sulmin mbi bazën e Uardakut e morën përsipër talebanët, të cilët akuzuan Uashingtonin se i ngjarjet e 11 Shtatorit i përdori si pretekst për të pushtuar Afganistanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA