Një 50 vjeçar u ekzekutua pranë një lokali në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, për motive banale, sikurse beson policia. (UPDATE)
Abdurraman Vrapi u qëllua me pesë plumba thonë burimet e policisë së Tiranës nga tre të rinj, njeri prej të cilëve Indrit Tresa, 28 vjeç, u arrestua në flagrancë 20 minuta pas krimit.
I dyshuari si një nga bashkëpunëtorët në vrasje u kap jo shumë larg vendngjarjes në një hotel në Sauk, ku mendohet të ketë hyrë për t’u fshehur.
Forca të policisë nga komisariati Nr.1, të cilat kryen arrestimin thanë se autori i dyshuar u kap në hotel së bashku me shokun e tij të ngushtë nga fshati Baldushk dhe me të vëllain.
Ata u arrestuan në çastet që po porosisnin për të pirë, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një pistoletë 17-she.
Asnjëri prej tyre nuk bëri rezistencë. Dyshohet se vrasja ndodhi për një përplasje makinash disa ditë më parë.
Por policia nuk dha detaje nëse konflikti ndodhi për shkak të dëmshpërblimit të kërkuar, apo ka pasur edhe arsye të tjera.
Policia nuk konfirmon nëse mes dy palëve para vrasjes, ishte lënë apo jo ndonjë takim për të zgjidhur konfliktin, kjo pasi ende nuk është marrë një deklaratë nga autori i dyshuar i krimit.
Top Channel