Kreu i Sindikatës së Minatorëve Kol Nikolla në një reagim pas dështimit
të takimit me ACR-në deklaroi se minatorët kërkojnë marrëveshje ligjore
dhe institucionale.
“ACR kërkon përcarjen e minatorëve, nuk pranon të ulet në negociata. Ministri i Punës dhe Inspektoriati i Punës të ndërhyjnë në këtë situatë”, tha Nikolla.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm ka qenë e tensionuar situata në Bulqizë, ku minatorët nuk pranuan ftesën për negociata të kompanisë ACR, pa qenë i pranishëm kreu i Sindikatës, Kolë Nikolla.
Administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili ka shprehur gatishmërinë për bisedime, por me kushtin që në takim të mos ishte i pranishëm Nikolla.
Minatorët grevistë të minierës së Bulqizës kërcënuan një ditë më parë për një konflikt të ri me firmën koncesionare ACR, nëse kjo e fundit do të tentojë të thyejë grevën dhe të rinisë punën në minierë.
Kreu i konfederatës së sindikatave të pavarura të Shqipërisë, Kolë Nikolla fajësoi direkt Ministrinë e Ekonomisë e cila përmes deklaratave të Repartit të Shpëtim të Minierave tentoi të përcajë minatorët e t’i nxjerrë ata nga ambientet e grevës.
Ky qendrim i shtetit sipas kreut të sindikalistëve tregoi më së miri suportin politik që qeveria i ka dhënë firmës koncesionare ACR.
Nikolla ka deklaruar se vendimi i gjykatës e ka cilësuar grevën e minatorëve të ligjshme dhe sipas ligjit, përsa kohë greva vazhdon, miniera nuk duhet të nisë punën.Nëse kjo ndodh, Nikolla ka paralajmëruar trazira të reja në qytetin minator të cilat mund të gjenerojnë situata të reja e të rrezikshme për minierën e minatorët.
Kryetari i konfederatës i bën thirrje firmës koncesionare të minierës, ACR, të heqë dorë nga shantazhet dhe politikat përcarëse me minatorët, por të ulet menjëherë në bisedime me ta.
Ditën e hënë, minatorët grevistë dhe komuniteti i qytetit të Bulqizës do të protestojë para zyrave të firmës ACR deri sa ajo të zgjidhë përfundimisht konfliktin me minatorët e të zgjidhë të gjitha pikat e kërkesave të tyre.
Rama mbështet minatorët
Greva e minatorëvë të Bulqizës ka gjetur përkrahjen personale nga lideri opozitës Edi Rama i cili nëpërmjet një editoriali të botuar në median e shkruar shpreh pikëpamjet për atë që po ndodh në qytezën e minatorëve.
Zoti Rama fajëson qarqet mafioze të qeverisë, kompaninë ACR të cilën e cilëson në këtë letër si një tentakulë të oktapodit të mafias, për atë që po ndodh në minierë duke kritikuar edhe prokurorinë e cila ka mbi tavolinë provat e shkeljes së një ministri për këtë koncesion dhe nuk ka bërë asgjë.
“Minatorët s’kanë asnjë shans t’ia dalin nëse nuk bëjnë të gjithë qytetin për vete dhe qyteti s’ka asnjë shans t’i mbijetojë humnerës së mjerimit nëse nuk bashkohet me minatorët. Bulqiza është një histori dramatike babëzie, skllavërie, tradhëtie, dhune dhe frike”, kështu nis editoriali i kryesocialistit, Rama.
“Minatorët s’kanë asnjë shans t’ia dalin nëse nuk bëjnë të gjithë qytetin për vete dhe qyteti s’ka asnjë shans t’i mbijetojë humnerës së mjerimit nëse nuk bashkohet me minatorët. Bulqiza është një histori dramatike babëzie, skllavërie, tradhëtie, dhune dhe frike”, kështu nis editoriali i kryesocialistit, Rama.
“Babëzia me minierat, shkruan Rama i ka rrënjët në Tiranë, në tryezën e qeverisë të Saliut, ndërsa degët në çdo labirinth nëntokë, ku po shkatërrohet një pasuri e tërë kombëtare për të bërë të pasur një grusht barbarësh të veshur me pushtet a të mbrojtur nga pushteti”.
Letra e Ramës për minatorët, reagon PD
Pas letrës së kreut të opozitës në mbështetje të minatorëve të Bulqizës, reagoi edhe Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate në të cilën e cilëson këtë letër si të mbushur me vrer dhe fjalë kazani.
“Edi Rama, shpalosi sërish fjalorin dhe mentalitetin e tij identitk me të etërve të tij. Ai nuk sjell as edhe një propozim të vetëm në interes të jetës së grupit të minatorëve në grevë, duke dëshmuar se ai ka përçmim për qytetarët e këtij vendi. Ai njëlloj si ata që për llogari të zotit Rama dhe karriges së tij, manipulojnë çdo ditë me vuajtjen dhe dhimbjen e minatorëve, aludon dhe shpreson se do të mundë të përjetojë gëzimin e lajmit të fatkeqësisë së minatorëve dhe ta shpallë atë si fitore të madhe të tijën e të Partisë Socialiste”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Partisë Demokratike.
Top Channel