Qeveria e Kosovës dhe KFOR-i kanë arritur marrëveshje gjatë së premtes pasdite, që pritet të prodhojë një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës.(UPDATE)

Sipas burimeve nga Qeveria e Kosovës, Top Channel mëson se në këtë takim u është thënë nga komandanti I KFOR-it, se me marrëveshjen janë dakorduar edhe qeveria dhe institucionet e tjera të Serbisë.

Në lidhje me pikat e marrëveshjes ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një mbledhje urgjente të qeverisë, vetëm pak kohë pasi ai është takuar me komandantin e KFOR-it, Erhard Byhler, përfaqësuesin e BE-së, Fernando Gentilini dhe ambasadorin amerikan, Kristofer Dell.

Sipas marrëveshjes, rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, do të zhbllokohen, dhe për sigurinë në këto pika përgjegjës do të jetë KFOR-i.

Portat 1 dhe 31 do të mbesin të mbyllura për mallrat komerciale, ndërsa ndihmat humanitare do të lejohen të kalojnë pas konstatimeve nëse në atë pjesë ka krizë humanitare.

Nga Jarinja dhe Bërnjaku do të lejhohet vetëm qarkullimi i automjeteve të vogla, pas një kontrolli rigoroz.

Po ashtu, treni që vjen nga Beogradi në Mitrovicë do të kontrollohet nga policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, me prezencën e KFOR-it.

Sipas zëvëndëskryeministres Mimoza Kusari Lila, KFOR-i ka shprehur përkushtimin që të zhbllokojë rrugët edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Në anën tjetër kjo marrëveshje nga kryeministri është quajtur suksesi më i madh i Kosovës që nga shpallja epavarësisë.

Kosova në këtë mënyrë arrin të vërë nën kontroll kufinjtë dhe garantues për këtë është i gjithë faktori ndërkombëtar, ka thënë Thaçi. Ai paralajmëroi se nuk do të ndalen me kaq.

“Do të vazhdojmë funksionalizimin e gjykatave, luftimin e strukturave paralele në Veri”, deklaron kryeministri Thaci.

Kjo zgjidhje për Veriun e Kosovës vjen pas dy vendimeve të qeverisë, fillimisht pas vënies së masave për bllokimin e mallrave me vula doganore serbe, dhe pas urdhërit të kryeministrit Hashim Thaçi për të dërguar njësitet speciale në atë pjesë.

Për më shumë se 10 ditë serbët e asaj pjese vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët që dërgojnë në portat kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA