Tranzicioni në Bashkinë e Tiranës dhe vakuumi i krijuar në kalimin e pushtetit nga njëra administratë në tjetrën, ka krijuar një terren të përshtatshëm për një valë ndërtimesh dhe pushtimesh të hapësirave publike.
Janë me dhjetra ndërtime pa leje, shtesa katesh në pallate, apo rrethime që vihen re në zona të ndryshme të kryeqytetit, ku qytetarë të ndryshëm kanë guxuar sërish të shkelin ligjin dhe të ndërtojnë prona që më pas duhet t’i presë rruga e legalizimit.
Apatia e strukturave ndërsa vazhdonte beteja ligjore për kreun e Bashkisë së Tiranës bëri që shumë qytetarë të nxitojnë të ndërtojnë pa leje.
Në redaksinë e Top Channel kanë mbërritur me dhjetra ankesa të qytetarëve të cilët pasi i kanë denoncuar këto fenomene pranë policisë bashkiake ku nuk kanë patur asnjë përgjigje, apo reagim konkret, kanë kërkuar që të denoncojnë publikisht abuzimet e fqinjëve të tyre me pronën publike.
Bëhet fjalë për shtesa katesh, rrethime hapësirash publike, pushtime të lulishteve dhe trotuareve nga pronarët e lokaleve etj, të cilat po vazhdojnë ende ndërsa strukturat e bashkisë dhe inspektoriatit ndërtimor nuk janë bërë eficente.
Logjika e të fortit dhe pushtimi i pronës publike po rikthehet në dëm të qytetarëve të thjeshtë dhe taksapagues.
Jashtë kamerave ata kërkojnë ndërhyrjen e strukturave të bashkisë dhe shtetit për të frenuar këtë epidemi të re në kryeqytetin shqiptar.
Top Channel