Vendimi i Prishtinës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës është komentuar në Shkup nga partia opozitare, Rilindja Demokratike Kombëtare.
Deputeti i kësaj partie, Izet Zeqiri, vlerëson se vendimi i këtillë i autoriteteve kosovare forcon sovranitetin e Kosovës dhe ndikon pozitivisht në mbrotjen e produkteve vendore.
“Vet akti që Kosova nuk e pranon vulën serbe për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës e vendos shtetin e Kosovës për herë të parë si vend sovran, duke udhëhequr një politikë të re ekonomike. Kjo në fakt do të reflektojë pozitivisht edhe në realizimin e ëndrrës së kahmotshme për mbrotjen e prodhimeve vendore të Kosovës”, ka deklaruar Zeqiri.
Më tej, deputeti Zeqiri shton se nga vendimi i Prishtinës për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe do të përfitojë edhe Maqedonia, e cila do të rrisë eksportin drejt Kosovës.
“Duke parë relacionin nga këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës, kjo do të reflektojë pozitivisht në rritjen e importit nga Maqedonia, gjegjësisht, rritjen e eksportit prej Maqedonisë dhe besoj se kjo duhet të refleketojë pozitivisht në një klimë të favorshme jo vetëm ekonomike por edhe politike mes Maqedonisë dhe Kosovës”, ka nënvizuar Zeqiri.
Të mërkurën qeveria e Kosovës njoftoi se do të aplikojë masa reciproke ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, pas vendimit të Beogradit për të mos njohur vulat e doganave të Kosovës, gjë që çoi në anulimin e bisedimeve mes dy vendeve që po mbahen në Bruksel.
Top Channel