Kryeministri Sali Berisha i kërkoi Ministrisë së Brendshme të ngrejë sa më shpejt grupet edhe në rang qarku për të mos humbur më kohë për nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë.
Por ky nuk ishte lajmi i vetëm i mbledhjes së qeverisë. Duke theksuar disa herë se me ndryshimin e fundit të ligjit, të dhënat e mbledhura nuk shënohen në regjistrin e gjendjes civile, kryeministri Berisha u shpreh me përbuzje për drejtuesit e Aleancës Kuqezi, që e ka cilësuar si antikombëtar procesin, ku përfshihet me vetëdeklarim edhe përkatësia fetare dhe etnike.
Procesi i mbledhjes së të dhënave nga popullsia nis në vjeshtë, por e vetmja arsye për shtyrjen e tij, sipas kryeministrit, nuk ishte kundërshtimi nga Aleanca Kuqzezi, por zgjedhjet lokale.
“Shtyrja e censusit për vjeshtë ju garantoj se nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve të cilët për interesa të tyre personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, thelbin, qenien e kësaj shoqërie. Nuk ka asnjë lidhje. Ata të cilët përpiqen të derdhin lot krokodili për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve ata kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet. Ky komb nuk ka vuajtur, nuk vuan dhe nuk do të vuajë kurrë për identitetin etij. Shqiptarët, për këta mjeranë, kanë qenë shqiptarë, kanë mbetur shqiptarë edhe kur kanë fjetur në perandori të tjera për shekuj me radhe dhe janë zgjuar shqiptarë. Cila qenka ana negative se dikush shkruan besimin e tij për të cilin është krenar, pasi çdo shqiptar është krenar për besimin e tij. Çdo qytetar i këtij vendi duhet të ndihet krenar me përkatësinë e tij etnike”, deklaroi Berisha.
Kjo është hera e parë që kryeministri Berisha flet publikisht për procesin e regjistrimit të popullsisë dhe debatet që e kanë shoqëruar atë.
Por kryeministri, megjithëse nuk përmendi asnjëherë me emër Kreshnik Spahiun, që drejton Aleancën Kuqezi, la të kuptohet se kjo veprimtari e tij bie ndesh me Kushtetutën dhe funksionin që ai kryen si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Madje, kryeministri la të kuptohet se zoti Spahiu po mbështetet në heshtje edhe nga ndonje institucion tjetër kushtetues, emrin e të cilit nuk e përmendi.
“Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin këto karrige, ata përdhosin kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë të paktën lehin, ndërsa ata vetë fshehin fytyrën dhe kanë frikë të dalin dhe kështu shndërrojnë institucionet, kushtetuese të vendit në strofulla praktikash, konceptesh dhe qëndrimesh ataviste, primitive. Nuk mund të them antikombëtare se nuk mund ti vendos këta në raport me kombin, nuk duhet përdorur fare ky term për ta”, tha Berisha.
Kryeministri shpejgoi se gjatë procesit të regjistrimit askush nuk është i detyruar të deklarojë përkatësinë e tij fetare apo etnike dhe se kjo mbetet në vullnetin e gjithësecilit.
“Akti i regjistrimit është një akt madhor, i cili do të jetë akti i regjistrimit të qytetarëve të lirë shqiptarë. Shqiptarët do regjistrohen si qytetarë të lirë, Ai që i konsideron këto si një çështje private është i ftuar të mos shënojë asnjërën prej tyre. Personalisht unë do t’i shënoj, pasi jam krenar me identitetin tim, jam krenar me besimin tim fetar”, theksoi Berisha.
Të dhënat që do të merren nga regjistrimi i popullsisë në vjeshtë dhe që do të japin një fotografi edhe të numrit të popullsisë që jeton në Shqipëri, do të përdoren kryesisht për hartimin e politikave në shpërndarjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.
Për kryeministrin Berisha, një statistikë optimiste kanë dhënë zgjedhjet lokale, ku u shënua numri më i madh i votuesve në 20 vitet e fundit.
“Këto zgjedhje kanë patur një mesazh shumë të madh, mesazhin se ky vend po mbushet me qytetarët e vet, njerëzit nuk po ikin. votuan më shumë se në çdo zgjedhje tjetër, çka tregon se shqiptarët po qëndrojnë në Shqipëri. Jam i bindur se e tëra kjo lidhet me faktin se Shqipëria sot është me të ardhura të mesme, të larta, është vend që ngjall gjithnjë e më shumë besim tek qytetarët e tij”, shtoi Berisha.
Top Channel