Piramida, KE: Kujdes me TCH

13/07/2011 19:45

Vendimet e ditëve të fundit në komisionet parlamentare të ligjeve dhe ekonomisë janë ndjekur me shqetësim edhe nga Brukseli.

Jo për faktin se duhet të prishet piramida për parlamentin e ri, sa për një tjetër dëm që shkaktohet me prishjen e këtij objekti ndaj televizionit Top Channel, zyrat e të cilit ndodhen në një pjesë të kësaj ndërtese.

Miratimi të enjten i këtij ligji cënon dhe kontratën aktuale të Ministrisë së Ekonomisë me këtë televizion.

I vënë në dijeni për një fakt të tillë, Komisioni Europian përgjigjet me këtë qëndrim ndaj vendimeve të marra së fundmi nga shumica në pushtet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Liria e medias është një shtyllë themeltare për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike dhe përben një element thelbësor të kriterit politik të Kopenhagenit për anëtarësim, gjë që cdo vend që aspiron për hyrjen në BE duhet ta plotësojë. Rasti i TCH është pak a shumë kompleks. Në të kombinohen aspekte të lirisë së medias, aspekte ligjore mbi të drejtën e pronës dhe interesa politike. Ne presim që problemet që lidhen me ambjentet aktuale të Top Channel të zgjidhen në transparencë të plotë dhe me paanshmëri, duke garantuar respektimin e legjislacionit që është në zbatim. Respekti për sundimin e ligjit është gjithashtu një përbërës thelbesor i kriterit politik. Ne po i vëzhgojmë nga afër zhvillimet dhe po monitorojmë lirinë e medias në përgjithësi në dialogun tonë të rregullt me autoritetet shqiptare”, thuhet në qëndrimin e komisionerit evropian për Zgjerimin.

Komisioni vëren një nevojë për të gjithë aktorët politikë që të krijojnë një klimë pozitive, si dhe kushtet për zhvillimin e mediave të pavarura dhe pluraliste.

“Komisioni pret që autoritetet shqiptare të promovojnë në mënyrë të dukshme dhe aktive, si dhe të garantojnë liri të plotë të medias për të zhdukur cdo perceptim të mundshëm për standarte të dyfishta në marrëdhëniet e tyre me median”, vijon më tej qëndrimi zyrtar.

Cënimi i lirisë së medias, në vecanti në lidhje me TCH, është përmendur dhe në Opinionin e Komisionit Europian vjeshtën e kaluar, ku shprehej shqetësim për gjobat selektive të gjyqësorit ndaj medias për cështje ku përfshiheshin politikanë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA