Kristianizmi “modern” në Shqipërinë e sotme

19/01/2011 19:05

Komuniteti i pestë më i madh fetar në Shqipëri, ai i ungjillorëve, u vendos në qendër të vëmendjes së emisionit të pasdites në Top Channel.

Evangjelistët apo protestantët, këta kristianë të modelit anglo-sakson, tashmë janë një realitet i pranishëm prej shumë kohësh në Shqipëri.

Për shumëkënd, prania e tyre lidhet me atë të misionarëve, kryesisht amerikanë, të veshur me kostume dhe me bibël në dorë, që nisën të predikojnë në rrugë apo derë më derë menjëherë pas vitit ’90.

Në të vërtetë, protestantizmi në Shqipëri është i hershëm. Të paktën që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, këtu e 180 vjet më parë, kur mërgimtarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara apo në Europën e veriut, sollën në atdhe edhe ritet e kristianizmit modern.

Gjerasim Qiriazi, së bashku me Petro Nini Luarasin e atdhetarë të tjerë themeluan “Vëllazërinë Ungjillore” në 1892. Midis krerëve protestantë shqiptarë, një besim që fitoi popullaritet me shpejtësi, ishin emra të shquar si: Naum Veqilharxhi, Gjerasim Qiriazi, Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, Kostandin Kristoforidhi, motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, etj.

Rasim Hasanaj, kryetari i Komitetit te Kulteve, shpjegoi: “Fillimet  e ungjillorëve fillojnë shumë kohë më parë në  Shqipëri. Shteti është i ndarë nga kisha, megjithatë mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare ekzistojnë bashkëpunime kur ato kanë nevojë për mbështetje, siç mund të jetë ana financiare”.

Kishat e shumta kristiane moderne, janë përmbledhur të gjitha në strukturat e VUSH-it (Vëllazëria Ungjillore Shqiptare). Shteti shqiptar, së fundmi i ka njohur ata zyrtarisht si komunitet fetar, pas muslimanëve, ortodoksëve, katolikëve dhe bektashinjve.

Në zyrën e komunitetit të kulteve, gjithsesi ende janë të paqartë për mënyrën e funksionimit të ungjillorëve si dhe të komuniteteve të tjera, për shkak të larmisë së sekteve të tyre.

Sekretari i përgjithshëm i VUSH-it, pastori Akil Pano, shpjegoi situatën: “Kishat që i janë bashkuar VUSH-it, pavarësisht se njihen si një e tërë, janë të pavarura në strukturën dhe funksionimin e tyre të përditshëm. Në këtë komunitet të madh përfshihen shumë struktura baptiste, evangjeliste apo luteriane”.

Kisha e Krishtit është një ndër bashkësitë që vazhdon të funksionojë prej vitesh në Shqipëri. Zhvillimi i klasave biblike në ditët e përcaktuara, ku përfshihet edhe darka e së dielës, vijon me takimet dhe aktivitetet e programuara për grupmosha të ndryshme.

Siç tregoi ungjilltari i Kishës së Krishtit në Tiranë, Bledi Valsa, kjo bashkësi është në përpjekje për t´u anëtarësuar në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare.

“Aktualisht jemi në fazë antarësimi në VUSH. Disa prej kushteve që duhen plotësuar janë pasja e 20 antarëve të pagëzuar, pranimi i statusit dhe rregullores së VUSH-it dhe regjistrimi në Gjykatë”.

Top Channel