Policia e Laçit ka shoqëruar presidentin e Besës së Kavajës, Nexhat Bizhdili, pasi ka goditur me sende të forta pas ndeshjes Laçi-Besa, gjyqtarin e takimit, Erjon Sino.
Gjithçka ndodhi në fundin e sfidës e cila u mbyll me fitoren e vendasve, falë golit të Shazivarit në minutën e 89-të.
Sipas dëshmitarëve okular, presidenti i Besës ka tentuar të godasë me fundin e pistoletës gjyqtarin kryesor, ndërkohë që një gjë e tillë mohohet nga policia e qarkut Lezhë. Por, nga drejtoria e policisë kanë dy lajme kontradiktore me njëra-tjetrën.
Në të parën thuhet se presidenti i klubit kavajas ka tentuar të godasë me tavull duhani arbitrin e ndeshjes, por që nuk ka arritur ta godasë atë pasi tavulla ka rënë në tokë dhe është thyer pa i shkaktuar ndonjë dëmtim arbitrit.
Ndërkohë që në të dytën thuhet vetëm se mjeti i fortë është një telefon celular, dhe nuk përmendet aspak nëse gjyqtari kryesor është dëmtuar apo jo.
Burime të sigurta të Top Channel pranë FSHF, bëjnë të ditur se nga kjo ngjarje kryesori i ndeshjes Sino ka pësuar një dëmtim të lehtë poshtë syrit. Kjo nuk është hera e parë që Bizhdili bëhet personazh i dhunës në stadiumet shqiptare.
4 vjet më parë ai gjuajti më këpucë gjytarin Bardhyl Pashaj pas ndeshjes Besa-Kastrioti, veprim ky që u dënua nga Komisioni i Disiplinës në atë kohë me vetëm 100 mijë lekë gjobë.
Top Channel