Bernie Sanders pezullon fushatën presidenciale, Trump tani përballë Biden

09/04/2020 01:06

Senatori amerikan Bernie Sanders pezulloi fushatën e tij për kandidaturën demokrate, duke i hapur rrugën ish-nënpresidentit Joe Biden për t’u përballur me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA.

Në një mesazh kur deklaroi ndërprerjen e fushatës, ai falenderoi mbështetësit e tij në gjithë vendin dhe stafin e fushatës së tij. Senatori nga Vermonti, programi progresiv i të cilit synonte t’i jepte partisë së kahje të skajshme të majtë, pati një epërsi të ndjeshme në garat e para brenda partisë në dhjetor, por shanset e tij u zbehën me shpejtësi, pasi humbi në Karolinën e Jugut në shkurt, ndërsa demokratët e moderuar mbështetën fushatën e zotit Biden.

Dalja nga skena e zotit Sanders, rivali i fundit përballë zotit Biden në fushatën demokrate, ngre siparin për një betejë mes ish-nënpresidentit 77 vjeçar Biden dhe presidentit 73 vjeçar, Trump që po kërkon një mandat të dytë.

Vendimi i senatorit Sanders vjen ndërsa vendi përballet me krizën e koronavirusit që e transformoi fushatën, me disa gara paraprake të shtyra dhe disa të tjera të cilat nuk dihet ende se kur do të mbahen. Senatori, kishte qenë nën presion për ndalur fushatën pasi zoti Biden fitoi bindshëm në garat e 17 marsit në Florida Arizona dhe Ilinois.

Top Channel