Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme nëpërmjet një deklarate ku është shprehur se ka paditur ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

“6 vepra penale në ngarkim të Olta Xhaçkës dhe kompanive pjesëmarrëse në tenderin e paracaktuar të ushqimeve. PD dorëzon në SPAK kallëzimin penal: Koordinim kriminal për vjedhjen dhe grabitjen e fondeve publike”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Menjëherë ka reaguar Ministria Xhaçka ku shprehet se e mirëpret padinë e PD dhe se inkurajon SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë.

Statusi i Xhaçkës:

E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm! I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales.

Top Channel