Në Shqipëri autoritetet thanë se janë në rrugë të mbarë në përpjekjet e tyre për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ndërsa nuk shfaqën shqetësim për numrin e vdekjeve, të cilat u rritën ndjeshëm ditët e fundit duke shkuar në 15 viktima.

Drejtuesja e Departamentit të Epidemiologjisë Silva Bino i tha Zërit të Amerikës po ashtu se as rastet e shtruara në spital nuk mund të konsiderohen të larta, duke qenë se sipas saj numri i tyre mbetet shumë më i ulët se ai atyre që po trajtohen në shtëpi. Aktualisht Shqipëria numëron 259 të prekur nga Covid-19.

Por ndërsa mesatarja botërore e vdekjeve në raport me numrin e të infektuarve është afërsisht 5 përqind, në Shqipëri ajo është diku te 5.8 përqind, thotë VOA. Numri i viktimave, 15 të tilla deri tani, u rrit ndjeshëm ditët e fundit. Mosha mesatare e tyre është 66 vjeç. Por sipas Binos, “rastet e vdekjeve nuk maten me rregull treshi”.

Në përgjigje të pyetjeve nga Zëri i Amerikës, ajo shpjegoi se “autoritetet shëndetësore bëjnë një vlerësim të numrit të vdekjeve dhe kjo bazuar me rastet e dyshuara dhe nga ana tjetër masin dhe raportin mes vdekjeve dhe rasteve të shëruara. Këto janë disa indikatorë të rëndësishëm të mënyrës se si po shkon epidemia. Natyrisht çdo rast vdekje duhet analizuar dhe po e analizohet”, është shprehur ajo.

Top Channel