Fiks fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes se disa nga prodhimet bujqësore në Shqipëri po hidhen në kanale. Situata nga pandemia Covid 19, ku qindra mijëra banorë qëndrojnë në shtëpi, ka sjellë që produktet bazë bujqësore të mos kenë treg.

Në vend që shteti duhet të ndërhyjë në këtë situatë, ku këto produkte të përfundojnë në tryezat e konsumatorëve në këto ditë të vështira, ato përfundojnë në vend grumbullimet e plehrave apo në kanale. Të dëmtuarit e parë janë vetë bujqit, të cilët kanë shpenzuar të gjitha të ardhurat në sera. Ndërkohë, të dëmtuar janë pikat e grumbullimit, tregtarët si dhe konsumatorët. Në fund edhe shteti, ku hedhja e prodhimeve nuk përkthehet me fitime nga taksat.

Në redaksinë e emisionit Fiks fare mbërriti një video nga banorë të fshatit Drenovicë, pjesë e Bashkisë Ura Vajgurore. Në videon duket që banorët kanë filmuar serat brenda me kastravecë dhe më pas mbushet një kamion i tonazhit të rëndë. Kamioni nuk shkon në treg, por në fushën e plehrave.

Pas kësaj situate, gazetarët e Fiks fare udhëtuan në këtë fshat për të parë situatën. Në fakt, toka në fshatin Drenovicë është e mbuluar në rreth 80% të sipërfaqes së saj me sera. I gjithë fshati merret me prodhimin e produkteve bujqësore me sera të mëdha. Pasi grupi i Fiks fare le fshatin Kutalli dhe niset drejt Drenovicës, në kanale ne shohim që tonelata të tëra me kastravecë janë hedhur në rrugë. E njëjta situatë paraqitet edhe në fshat, ku kamera e Fiksit shkon në një zonë moçalishte. Edhe në këtë vend, dhjetëra kamionë dhe furgonë shkarkojnë tonelata me kastravecë. Zona është kthyer në një pikë grumbullimi për këtë produkt bujqësor, por jo për tu shitur, por për tu hedhur. Kastravecët, sipas banorëve, kanë qenë për tregti, por mungesa e tregut solli hedhjen e tyre. Nëse në qytetet kryesore 1 kg kastravecë shitet nga 400 deri në 800 lekë të vjetra, në Drenovicë ai braktiset.

Në vend hedhjen e kastravecëve, grupi i Fiks fare pritet nga dhjetëra banorë. Të zemëruar dhe indinjuar me shtetin ata bëjnë akuza të forta. Një 61 vjeçare thotë se familja e saj merret me bujqësi. “Kam një jetë që merrem. Do merrem sërish. Deri tani nuk kemi marrë asnjë ndihmë, subvencionim apo të kemi të paktën një treg. Të na lënë të paktën të punojmë, të na ndihmojnë me gjërat bazë. Na kanë harruar” thotë ajo, duke shtuar se askush nga shtetarët nuk është interesuar për ta. “Edhe ne që po hedhim produktet po vdesim. Edhe ne jemi sëmurë. Nesër ku do hamë bukë” thotë një tjetër, ndërsa të gjithë akuzojnë titullarët e ministrisë së Bujqësisë, por edhe deputetët që nuk interesohen për ta. “Ku janë ata të ministrisë. Po ata deputetët. Po e shesim 1 kg kastravec me 30 lekë të vjetra. Ky është turp. Me kaq lekë s’na del as nafta për ta hedhur, jo të fitojmë. Po na ikën djersa kot. Mirë që e çojmë te pikat me 30 lekë, po s’na japin as lekë. Unë jam vet i 7 në familje. Po nuk fitova këtu, nuk çoj lekë për fëmijët” thonë banorët.

Disa të tjerë pohojnë se kryeministri me të drejtë ka marrë masa. ” Edhe ne duam të rrimë në shtëpi. Po la lekë?! Si do qëndrojmë të karantinuar? Kush do na i sjelli të ardhurat?”, pyesin me të drejtë ata, ndërsa akuzojnë edhe pushtetin lokal që nuk është interesuar fare për fshatin. Sipas tyre, përveç kastravecit, situata do të përsëritet edhe me domaten. ” Vjet e nxorëm domaten me 1400 lekë të vjetra për kilogram. Sivjet, po na e marrin me 400 deri në 500 lekë. Dhe është vetëm fillimi. Pas disa javësh do hedhim edhe domatet në këtë vend. Më mirë ti shkulim” thonë ata, duke përmendur se të gjithë kanë marrë fidanët, plehrat, plastmasin me lekë në pikat e shitjes.

Në fakt, në gjithë këtë situatë, strukturat shtetërore mund të ndërhynin, duke organizuar marrjen e produkteve bujqësore dhe dërgimin e tyre në familjet në nevojë, që janë të detyruara të qëndrojnë brenda nga CoVid 19. Dhe, në këtë mënyrë, do të fitonin të gjithë, pasi edhe bujqit do të mund të subvencionoheshin, konsumatorët me tryezat plot dhe shteti s’do ti duhej të shlenzonte dhjetëra miliona euro me tender për ushqime.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel