Kryeministri Rama, Ministrja Manastirliu dhe ministri Ahmetaj inspektuan strukturën e cila do të përshatet si spital-karantinë.

Manastirliu tha se kjo strukturë do të shërbejë për ata pacientë të prekur nga COVID-19, të cilët kanë gjendje shëndetësore të përmirësuar nga trajtimi në spital, por kanë ende nevojë të mbahen nën vëzhgim. Manastirliu tha se bëhet fjalë për skenarin e katërt, në rastet e tejkalimit të kapaciteteve të strukturave publike.

“Spitali karantinë do të shërbejë për ata pacientë që përmirësohen por kanë nevojë akoma për t’u mbajtur nën vëzhgim dhe janë të hospitalizuar. Kjo është pjesë e skenarit të katërt, pasi në skenarin e parë, të dytë dhe të tretë janë struktura të tjera në spitalet publike, ndërsa ky do të shërbejë si një spital-karantinë me një organizim të asistencës bazë mjekësore”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në objektin që do të transformohet në spital karantinë në ish-universitetin jopublik Kristal, Manastirliu tha se kjo strukturë ka një kapacitet prej 100 shtretërish.

“Struktura është e adaptueshme dhe puna do të fillojë shumë shpejt për rehabilitimin. Çdo dhomë do të adaptohet konkretisht për ata të sëmurë që janë në fazë shërimi që kërkojnë një asistencë bazë mjekësore. Do të jenë rreth 100 shtretër. Është në kushte që mund të adaptohet shpejt për një strukturë rezidenciale dhe të ofrojë shërbimet bazë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se menjëherë do të fillojmë me procedurat pas vendimit të qeverisë.

Top Channel