Mbyllja e kufijve tokësor të Shqipërisë dhe ndërprerja e fluturimeve nga disa kompani ajrore ka bërë që shumë shqiptarë të bllokohen në pika të ndryshme kufitare apo edhe aeroporte.
Në numrin e rubrikës ‘Ti Raporton’ në Top Channel janë të shumta mesazhet e qytetarëve që apelojnë për ndihmë.
Njëra prej tyre thotë: “Unë sot kisha fluturimin për tu kthyer në Tirane. Fluturimi ishte Frankfurt-Beograd-Tiranë. Kur paraqitem në Gate une dhe 3 shqiptarë të tjerë u ndaluam të fluturonim sepse shteti serb kishte dhënë urdhër që nuk do të fluturonte asnjë shtetas tjetër veç atyre me shtetësi serbe. Kjo gjë ndodhi pa asnjë njoftim zyrtar.”
Ndërkohë gazetari i Top Channel Muhamed Veliu u interesua pranë ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme se si duhet të veprojnë qytetarët me të tilla probleme.
Përgjigja e marrë nga zëdhënësja e kësaj ministrie është: “Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është ngritur task forca (grup emergjence) enkas për t’i ardhur në ndihmë çdo shqiptari i cili ndodhet përtej kufijve dhe ka mbetur atje për shkak të pandemise së krijuar nga COVID-19.
Çdo numër emergjence në përfaqësitë e RSh-së në botë është funksional! Ambasadorë, konsuj dhe deri tek specialistët e thjeshtë janë në dispozicion 24/7 për t’ju ardhur në ndihmë secilit qytetar shqiptar që ka nevojë për asistencë. Ky grup i posaçëm po merret rast pas rasti por duhet durim sepse janë shumë aktorë në lojë dhe të vepruarit sidomos në këtë situatë nuk është krejtësisht e lehtë.
Lutemi dhe udhëzojmë duke qenë se situata është kritike dhe ka zhvillim nga momenti në moment që kushdo dëshiron dhe duhet të kthehet në Shqipëri përpara se të marrë vendimin të presë biletën të kontaktojnë përfaqësite për udhëzim, se cili është itenerari që duhet të ndiqet, a ka fluturime të mundshme, a u lejohet tranziti nga vendi i zgjedhur, etj. nga do kalojnë, a është e mundur mbërritja, etj.
Është shumë e rëndësishme të theksohet dhe qytetarët të bashkëpunojnë.
Linjat ajrore po mbyllen një e nga një orë pas ore! Nëse nisen pa marrë info se ku po shkojnë ngelen në pritje nëpër kufij sepse shtetet kanë vendosur rregullat e tyre për të mbrojtur qytetarët. Ambasadori dhe ministria koordoninon me kufijtë, autoritetet e shtetit ku janë, autoritetet tona për eskortim, agjencitë e biletave etj. Luteni të kontaktohet përfaqësia përpara çdo veprimi”.
Informacion për shtetasit shqiptarë të bllokuar në kufirin me Serbinë
Personat e bllokuar në kufirin me Serbinë duhet të kontaktojnë në numrin e urgjencës së Ambasadës +381 63309598 – kontakti mund të jetë edhe përmes Viberit ose WhatsApp-it.
Në të njejtën kohë, personat duhet të bëjnë një listë të personave që kërkojnë të kalojnë. Sipas kërkesave të palës serbe, lista duhet të përmbajë:
1. Emrin dhe mbiemrin e personit.
2. Numrin e pasaportës dhe kombësinë.
3. Pikën kufitare të hyrjes në Serbi.
4. Pikën kufitare të daljes nga Serbia dhe destinacionin përfundimtar.
5. Targën e makinës dhe llojin (psh Mercedes etj.)
6. Informacione rreth shoferit dhe një numër kontakti të tij.
Më pas lista me të dhënat e mësiperme i përcillet ambasadës me email: [email protected] ose me viber & WhatsApp në numrin e mësipërm.
Ambasada perpilon një Notë – Verbale të cilën ja përcjell Ministrisë së Jashtme në Beograd së bashku me listën e personave. Autoritetet komunikojnë me pikën kufitare dhe i përcjellin listën me të dhënat.
Lutemi që të dhenat e përcjella të verifikohen me kujdes dhe të jenë të sakta.
Ambasada dhe stafi i saj janë në shërbim 24 orë për të gjithë bashkatdhetarët që hasin probleme në territorin e Republikës së Serbisë.
Gjithashtu, ju bejmë me dije se Presidenti i vendit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme prej 48 orësh. Serbia ka mbyllur kufitë ajrorë dhe tokesorë me Malin e Zi, Kroacinë, Zvicrën, Austrinë etj.
Në një prononcim të saj kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila është njëkohësisht edhe kryetare e shtabit të emergjencave për koronavirusin, tha se qeveria ka urdhëruar mbylljen e kufive të vendit për të huajt.
Kufitë, siç u shpreh ajo, do të jenë të hapur vetëm per shtetasit serbë që vinë nga jashtë, por edhe për diplomatët e huaj dhe të huajt që kanë leje qëndrimi në Serbi.
Top Channel