Cërrik/ Pacientëve me dializë  u bie të fikët në trasportin publik.  Bashkia:” S’ është përgjegjësi e jona”

28/02/2020 22:17

 Pacientët nga qyteti i Cërrikut që trajtohen me dializë udhëtojnë me transport publik të rastësishëm për të marrë trajtimin e detyruar mjekësor në spitalin Rajonal të Elbasanit. Për më shumë se tre vjet, këta pacientë udhëtojnë me transport të rastësishëm dhe jo me një transport të posaçëm pasi shërbimi që ata marrin kërkon kujdes. Në emisionin Fiks Fare, këta pacientë kanë denoncuar mungesën e transportit pasi i vështirëson vajtjen në spital dhe ardhjen në banesë kur kryejnë shërbimin e dializës. Zonja Vesire Metushi, jeton në fshatin Linas të Cërrikut. Për të kryer shërbimin e dializës, zonja Metushi niset që në orën 4:10 të mëngjesit dhe i duhet të eci mbi 30 minuta në këmbë që të dalë në rrugën kryesore e të marrë një mjet të rastësishëm.

“Unë e bëj 3 herë në jave këtë rrugë për 3 vjet. Jam shumë larg, nuk eci dot. Sepse kur kam hyrë në dializë kam humbur ekulibrin fare dhe kam marrë një trullosje në kokë, një gabim njerëzor që është bërë atje te dializa dhe nuk e mora më veten. Pas kësaj, u rrëzova nxorra dhe këmbën. Kam ndenjur 5 muaj në karrocë. Merrja makinë në dispozicion me 20 mijë lekë dita dhe u futa në borxhe. Kemi arritur deri këtu sa unë ose do ndërpres dializën ose të na jepet një rrugëzgjidhje që ne të marrim një automjet. Në shtëpi unë jetoj me një fëmijë invalid dhe nuk kam asnjë lloj ndihme tjetër. Tim shoq nuk e marr dot prapa për shoqërues sepse fëmijën që kam në shtëpi nuk kam me kë e lë, do dhe ai shërbimin e vet. Për këtë i jemi drejtuar Fiksit që të na ndihmojnë me një mjet të paktën. Gjysma e së keqes të na hiqet transporti se nuk udhëtojmë dot më.” u shpreh zonja Metushi.

E pyetur se sa kohë i duhet për të dalë nga shtëpia dhe të dalë te rruga kryesore që të marrë një furgon të rastësishëm, zonja Metushi shprehet se i duhet të eci në këmbë mbi një gjysmë ore.

“Mbi një gjysmë ore, se unë nuk eci dot deri sa të dal në rrugë kryesore. Por furgoni nuk ka orar fiks, mund ta presësh dhe 10, 20 minuta por edhe gjysmë ore.Furgoni është për pasagjer nuk është për ne. Kështu që ne jemi të detyruar të rrim këtu ta presim atë, në të ftohtë në të ngrohtë si do që të jetë koha. ” tha zonja Metushi.

Ndonëse në temperatura të ulëta, pacientët që marrin shërbimin e dializës janë të detyruar të presin deri sa të vij ndonjë fugon i rastësishëm. Gjatë kohës që presin fugonin, ndezin zjarr për t’u ngrohur pasi i duhet të presin për një kohë të gjatë. Alber Cjapi, është një tjetër qytetar që tregon peripecitë që kalon për të marrë shërbimin e dializës.

“Tre herë në javë unë ngrihem në orën 4:15 dhe dal nga shtëpia. Ndez zjarr deri sa të vij ndonjë fugon. Mund të vij në 04:45, mund të vij në 05:00, 05:10, 05:20 ose edhe në 04:30 varet sesi dalin dhe hipi fugonit e iki në Elbasan. Ne aty presim urbanin në 06:30 që vemi deri te spitali me urban. Në orën 07:00 futemi në dializë dhe dalim në orën 11:00. Pastaj e njëjta gjë .Një rast po ju përmend që para dy javësh mos gaboj, dola nga dializa isha në rregull. Hipa në fugon, më ra tensioni, rrugës u kthye fugoni më çoi te spitali i Cërrikut që më dha solidiumin  që m’u ngrit tensioni që erdha në vete. Po ç’kusur kishin gjithë pasagjerët që erdhën pas meje”  shpreh shqetësimin një prej pacientëve që marrin shërbimin e dializës.

Ndër të tjera, zoti Albert Cjapi tregon për Fiks Fare se ku nuk kanë shkuar dhe janë ankuar por shprehet se kanë dy vjet që i sorrolasin. “Ne u detyruam dhe ju drejtuam emisionit Fiks Fare për arsye që të na ndihmoni me një ambulancë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër. Pse duhet të ngrihemi gjithmonë në orën 04:00 që të dalim të presim makina të çastit, duke ditur që Bashkia e Gramshit me fugon, Bashkia e Peqinit me fugon. Vemi te kryetari i bashkisë të qyteti të Cërrikut s’e kam unë në dorë, vemi te drejtoria e spitalit të Cërrikut s’e kam unë në dorë, vemi te drejtoresha atje (e spitalit të Elbasanit), jo kështu po ashtu na sorrollasin. Bie shi, bie borë, bie breshër ne këtë orar kemi, s’kemi orar tjetër.” tha zoti Cjapi.

Pasi u mblodhën pacientët e kësaj zone në vendin e përhershëm, erdhi një fugon i rastësishëm dhe ata u nisën për në qytetin e Elbasanit që të kryejnë shërbimin e radhës së dializës. Shqetësimi i tyre shtohet edhe më tepër pasi dalin nga seanca e dializës se gjendja e tyre shëndetësore nuk është e mirë. Ata nuk janë në gjendje që të hipin e zbresin sa nga njëri fugon në tjetrin pasi ndodh që i ulet tensioni.  Këta pacientë, dializën e fillojnë në orën 7 të mëngjesit, pra përafërsisht nga fshati Linas i Cërrikut për të shkuar në spitalin e Elbasanit i duhen 3 orë.

Në orën 11:00 pacientët kanë mbaruar dializën dhe ata shprehen se pas daljes nga dializa nuk janë në gjendje të lëvizin me fugona por janë të detyruar se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Edhe pse një ditë me shi, këta pacientë janë të detyruar të shkojnë të marrin urbanin e për të shkuar në terminal për të marrë një fugon e të nisen për në qytetin e Cërrikut. Fiks Fare u interesua në bashkinë e Cërrikut dhe këta pacientë rimbursohen me 3900 lekë në muaj për transport nga shteti. Kjo shumë e vendosur nga bashkia e Cërrikut, nuk i mbulon kostot e tyre, pasi nga kjo bashki nuk mbulon me transport publik të gjitha fshatrat dhe janë të detyruar të shkojnë në Elbasan me mjete rastësore ose private. Lekët që u jep shteti u dalin vetëm për një javë.

Fiks Fare iu drejtua Bashkisë së Cërrikut për të marrë një përgjigje se si do të zgjidhet transporti i këtyre pacientëve.”Përsa i përket pjesës së kësaj kategorie që është e veçantë, në dijeninë time besoj që brenda kuadrit ligjor nëse nuk ia përmbushin nevojat këto linja eksiztuese që ne kemi duhet parë pastaj sesa kopetencë ka bashkia dhe ku shkon kopetenca në bazë të rimbursimit që këta marrin në pjesën e tarifimit të biletës”, shprehet drejtoresha e taksave vendore por që ka në mbikëqyrje transportin Frita Fejzullahu.Ndër të tjera, e pyetur se çfarë ka menduar bashkia Cërrik për  këta persona që kanë nevojë për një transport të posaçëm. Zonja Fejzullahu shprehet se duhet parë se deri ku shkon kompetenca e bashkisë Cërrik  ndërsa më tej shprehet se nuk është kompetencë e bashkisë Cërrik për zgjidhjen e transportit të këtyre pacientëve.

Top Channel