Pasi presidenti i Republikës, Ilir Meta dorëzoi kallëzim penal në SPAK për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, me akuzën se ka shkelur kushtetutën, kjo e fundit ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp duke i cilësuar akuzat e Metës një lajthitje ligjore.

Ndër të tjera ministrja Gjonaj ka sqaruar të gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka shtuar se edhe vetë Presidenti Meta e beson versionin e tij se në Ministrinë e Drejtësisë ndodhet një “grup i strukturuar”, që po tenton të bëjë grusht shteti.

“Presidenti artikulon papushim për të drejtën e tij për të pezulluar numërimin e ditëve të afatit qe i jep ligji kushtetues, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi i një afati  që as nuk pezullohet dhe as ndryshohet nga institucioni që duhet të veprojë sipas afatit, është një koncept që faktikisht nuk ekziston në asnjë praktikë kushtetuese. Pra juridikisht mund të konsiderohet nonsens dhe logjikisht më së paku një lajthitje ligjore”, tha Gjonaj.

“I duhej lënë presidentit koha për të ezauruar seritë e spektaklit për “grupin armiqësor”. Nuk iu përgjigjem fjalëve të padenja të presidentit. Presidenti ka krijuar një kauzë fiktive në funksion të kauzave politike. Deformimet faktike të këtij show presidencial janë mbresëlënëse. Presidenti ka një hall dhe ajo është reforma në drejtësi. Parashikimet ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses janë të qarta.” tha Gjonaj më tej.

Deklarata e plotë e ministres Gjonaj:

Sot jam në këtë komunikim me ju, dhe nëpërmjet jush, përpara opinionit publik, për të shtjelluar me përgjegjësinë time të plotë politike, profesionale e qytetare, një temë që është kthyer në thirrje për protestë nga as më shumë dhe as më pak, po vetë Presidenti i Republikës.

Nuk e kam bërë këtë shtjellim më parë, sepse kam gjykuar që i duhej lënë Presidentit koha dhe hapësira e plotë mediatike për të ezauruar të gjitha seritë e spektaklit të tij politik mbi “grupin armiqësor dhe kriminal” në Ministrinë e Drejtësisë.

Nuk e bëj këtë sqarim sot as për t’iu përgjigjur Presidentit, për morinë e akuzave dhe as për tju përgjigjur fjalëve të padenja që ka lëshuar publikisht në drejtimin tim, personalisht apo përmes zëdhënësve të tij. Une u rezervoj të gjithë keqardhjen time për hallin e madh që i motivon në luften kundër Reformës në Drejtësi, por akuzat ndaj meje nuk i lehtëson nga pozita e tyre.

Presidenti ka krijuar një kauzë fiktive në funksion të betejave të tij politike, që në çdo rast nuk janë në përputhje me përgjegjësitë e tij të larta kushtetuese, si përfaqësues i unitetit të popullit, në momentin e rëndësishëm që po kalon Shqipëria në prag të negociatave.

Deformimet e rënda faktike, juridike dhe logjike të këtij show politik presidencial mbi gjoja rrëmbimin e kompetencave të Presidentit janë mbresëlenese për këdo që i di faktet.

Per shembull, kujt dhe per çfarë i drejtohet në thirrjen e tij të dëshpëruar zoti President, mbi zgjedhjen e anetarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur sot gjyqtarja e zgjedhur prej tij me një procedurë në kundërshtim me Kushtetutën dhe të paligjshme ushtron funksionin si anëtare e GJK?

Dhe pikërisht për një informim korrekt mbi faktet, të kujtdo që dëshiron të dije si qëndron e vërteta e tërë kësaj orvajtje të dëshpëruar kundër Reformës në Drejtësi, sipas Kushtetutës, ligjit dhe praktikës që po ndërtohet gjatë këtyre viteve, po vijoj si më poshtë: 

Së pari: Presidenti artikulon papushim për të drejtën e tij për të pezulluar numërimin e ditëve të afatit qe i jep ligji kushtetues, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi i një afati prekluziv që as nuk pezullohet dhe as ndryshohet nga institucioni që duhet të veprojë sipas afatit, është një koncept që faktikisht nuk ekziston në asnjë praktikë kushtetuese. Pra juridikisht mund të konsiderohet nonsens dhe logjikisht më së paku një lajthitje ligjore. 

Së dyti: parashikimet ligjore dhe kushtetuese për përzgjedhjen e anëtarit të GJK nga Presidenti janë shumë të qartë. Sipas parashikimeve të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti ushtron të drejtën e zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve ne Drejtësi.

Presidenti e ushtron të këtë të drejtë në dy forma, a) ose nëpërmjet dekretit ose b) në mënyrë të heshtur, duke pranuar që kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të konsiderohet i emëruar.

Qëllimi i vendosjes së këtij afati apo mekanizmi zhbllokues ka qënë pikërisht shmangia e bllokimit të zgjedhjes së anëtarit të gjykatësit kushtetues për shkaqe politike apo teknike. Kjo ishte edhe një nga risitë e reformës në drejtësi e përkrahur edhe nga Komisioni I Venecias.

Por çfarë ndodhi? Afati 30 ditor i Presidentit për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese përfundoi dhe Presidenti nuk e shfrytëzoi kohen 30 ditore. Theksoj se ky është një afat prekluziv, pra i pandryshueshëm dhe i pa-pezullueshëm, për shkak se vetë ligji e ka lidhur kalimin e këtij afati me ardhjen e një pasoje. Pra, me kalimin e këtij afati, bëhet automatik emërimi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese i kandidatit që është renditur i pari.

Për këtë shkak, Arta Vorpsi, që ishte renditur e para nga KED si institucion I pavarur, konsiderohet e zgjedhur gjyqtare Kushtetuese automatikisht nga ligji (ex lege) me datë 08.11.2019.

Së treti: Presidenti paraqet papushim një rrëfim me natyrë policeske, lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare të zgjedhjes së zonjës Arta Vorpsi. Bërthama e rrëfimit është thjeshtë dita e shtunë. Pra fakti se botimi në Fletoren Zyrtare është bërë të shtunën, i ka mjaftuar zotit President të dal në konkluzionin se jemi përpara një konspiracioni armiqësor, përmes të cilit synohet një grusht shteti.

Sinqerisht e kam shumë të vështirë të besoj se Presidenti i Republikës e beson vetë këtë version kaq ekstremist për imagjinatën e çdo njeriu normal, të një konspiracioni me finalitetin e një grushti shteti, i cili provohet me argumentin se ditën e shtunë, grupi armiqësor në Ministrinë e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke synuar të përfitojë nga fakti se shteti është pushim. Sikur Presidenti të kishte bërë një kërkim krejt sipërfaqësor në arkivë, do të kishte mësuar se jo vetëm e shtuna po edhe e diela, janë ditë që figurojnë  më parë në Fletoren Zyrtare.

Së katërti: Si qëndron konkretisht fakti i Botimit në Fletoren Zyrtare i vendimit të KED-se për anëtarin e zgjedhur ex lege?

Presidenti deklaron se grupi I strukturuar I Ministrisë së drejtësisë, ka shkelur ligjin se ka botuar në FZ një vendim që s’kishte kompetenca për ta botuar.

Por në fakt është krejt e kundërta:

Pas informacionit që KED i ka dërguar Kuvendit, ky i fundit i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë informacionin mbi praktikën e ndjekur nga KED dhe faktin që afati 30 ditor i emërimit të anëtarit të gjykatës Kushtetuese nga Presidenti kishte përfunduar dhe për këtë shkak kandidati i renditur i pari në bazë të vendimit të KED-së, konsiderohej i emëruar ex lege (automatikisht).

Për sa kohë që është një anëtar I emëruar nga ligji, Ministria e Drejtësisë i dërgoi Qendrës së Botimeve Zyrtare për publikim vendimin e KED për renditjen e kandidatëve.

Pse Ministria e Drejtësisë?

  1. Neni 4 i ligjit për qendrën e botimeve zyrtare dhe ligjit organik të Ministrisë së Drejtësisë parashikohet se Ministria e drejtësisë është organi epror i QBZ dhe shërben për rregullimin e veprimtarisë së saj.
  2. Po ashtu Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë duhet të garantojnë aksesin efektiv për njohjen e legjislacionit dhe ushtrimin e të drejtës për informim të personave fizike dhe juridike, brenda dhe jashtë vendit.
  3. Ministria e drejtësisë ashtu si dhe çdo organ publik, ka detyrimit të përmbushë me rigorozitet pushtetet që Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë duke u bazuar mbi parimet e ligjshmërisë dhe transparencës në kryerjen e funksionit brenda kufijve të kompetencave dhe në përputhje me qëllimin e dhënë të këtyre kompetencave.
  4. Në një kohë që vendimi I KED-së që bëhet fjalë ka renditur kandidatët për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk reflektohet në nenin 6 të ligjit për botimet zyrtare specifikisht, sipas nenit 3 të po këtij ligji është një akt që nuk mund të përjashtohet nga përkufizimi I “akteve të botueshme”.

Ashtu siç nuk reflektohen të gjitha aktet që për nga natyra e tyre, duhet të jenë të botueshme, përfshirë këtu edhe ky vendim i KED-së apo çdo lloj vendimi tjetër që do të jetë si pasojë e mekanizmit zhbllokues.

  1. Ligji për organet e qeverisjes ka parashikuar detyrimin që KED të botojë menjëherë në faqen e gjykatës së lartë, çdo vendim që ai merr, me qëllim garantimin e transparencës për publikun. Por në një kohë që vendimi i KED I nënshtrohet mekanizmit zhbllokues pas kalimit të afatit 30 ditor për zgjedhjen e anëtarit, ka të njëjtën fuqi ligjore ashtu si dhe dekreti I presidentit duhet të ketë edhe të njëjtin formalitet në shpalljen botërisht të tij, që do të thotë botimit në Fletoren zyrtare.

Presidenti ka ngritur akuzën se botimi në fletore zyrtare ka sjellë pasoja të rënda.

Cilat janë efektet apo pasojat juridike që ka krijuar publikimi I këtij vendimi në Fletore zyrtare?

As më shumë dhe as më pak përveç bërja e njohura botërisht në formë të shkruara apo elektronike të këtij vendimi të KED-së pas kalimit të afatit 30 ditor.

Është me shumë rëndësi të mbahet parasysh se botimi në fletoren zyrtare nuk i jep fuqi juridike akteve që botohen në të (përveç akteve që e parashikojnë shprehimisht), por shërben për ti bërë të njohura botërisht ato.

Pra, nuk është botimi që I jep fuqi juridike vendimeve të KED-së por vetëm i bën me dije publikut aktin që ka sjellë ose do të sjelle pasoja juridike. Në këtë mënyrë, nëpërmjet botimit në fletoren zyrtare bëhet i njohur botërisht anëtari i emëruar në gjykatën kushtetuese ex lege.

Përsa kohë që ligjet e reformës në drejtësi nuk kanë parashikuar procedurën e botimit të akteve që krijojnë efekte juridike nga mekanizmi zhbllokues, rrjedhimisht KED ndodhej në pamundësi për dërgimin për botim të këtij akti.

Pasojat që sjell botimi në fletore zyrtare është vetëm njohja e publikut me vendimin dhe fuqinë juridike të një akti të prodhuar nga vete ligji. Botimi I këtij vendimi në fletoren zyrtare njëkohësisht garanton trajtimin e njëjtë të të gjithë anëtarëve të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, si ata të zgjedhur nga Presidenti, ata nga Kuvendi si edhe ato te zgjedhur ex lege, duke garantuar njohjen botërisht të aktit të tyre të emërimit në këtë gjykatë.

Akuza se unë si Ministër Drejtësie apo stafi I ministrisë së drejtësisë kemi kryer shkelje penale është inekzistente pasi botimi në fletore zyrtare nuk ka sjellë as rrëmbimin e kompetencës së presidentit për gjyqtaren kushtetuese dhe as pasojën për sa kohë ka të bëjë vetëm me njohjen e asaj që ka urdhëruar ligji automatikisht.

Akuza se unë si Ministër Drejtësie apo stafi I ministrisë së drejtësisë me veprimet tona kemi kryer shkelje penale është thjesht kulmimi i shoë-t presidencial (nje kulmim mjaft komik do te thosha, po te mos behej fjale per Presidentin e një vendi)!

Kur botimi në fletore zyrtare nuk ka sjellë as rrëmbimin e kompetencës së presidentit për gjyqtaren kushtetuese dhe as pasojën për sa kohë ka të bëjë vetëm me njohjen e asaj që ka urdhëruar ligji automatikisht, mund te konstatohet lehtesisht se e vetmja pasoje eshte dalja e Presidentit jashte kornizes ligjore dhe përgjegjësive të tij kushtetuese.

Por mqs Presidenti ka dorëzuar kallzimin penal ndaj meje në SPAK, nuk do të jap asnjë koment mbi këtë kallzim, në respekt të ligjit dhe funksionit të institucioneve të reja të Drejtësisë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA