Probleme në shitjen e Dinamos/ Anulohet në momentin e fundit kalimi i pronësisë së klubit

21/02/2020 20:28

Klubi Dinanamo tashmë prej vitesh militon në kategoritë inferiore dhe marrëveshja në tetorin e shkuar të drejtuesve të vjetër, Besnik Dulaj dhe një grupi investitorësh italian ishte si një dritë në fund të tunelit për blutë e kryeqytetit.

Që prej kësaj periudhe Dinamo drejtohej nga Marco Pontrelli i cili është kandidat për president nga grupi i investitorëve italian dhe ashtu siç thotë vetë në 24 shkurt pritej mbyllja e marrëveshjes dhe kalimi i klubit në emër të italianëve. Por vetëm 24 orë më parë drejtuesit e vjetër kanë njoftuar një ndryshim plani, duke u përpjekur të marrin mbrapsht skuadrën dhe të prishin marrëveshjen me italianët. Për këtë arsye Pontreli ka mbërritur sot në kryeqytet dhe në një intervistë për Top Channel sqaron.

“Jam disi i tronditur për lajmet e fundit sepse askush nuk më mori në telefon, gjithçka ka ndodhur e lexova nga mediat dhe kjo nuk më duket diçka logjike 24 orë përpara një ndeshje shumë të rëndësishme që ka ekipi. E them këtë gjithmonë nëse mendojmë për ekipin sepse duhet t’i ndajmë gjërat, ekipi i futbollit ka nevojë për seriozitet dhe të bësh gjithë këtë nuk është aspak normale. Ne i jemi përgjigjur të gjitha detyrimeve, sepse nga tetori e menaxhojmë ne. Në aspektin teknik nuk di të them se morëm në 9 ndeshje 1 pikë dhe 1 gol, sot skuadra e rinovuar në janar me 14 lojtar dhe ka marrë 14 pikë. Diferencën e bëni vetë, skuadra është e ndërtuar me mend dhe nuk ka probleme për të qëndruar në kategori”, tha Marco Pontrelli, përfaqësues i grupit italian që administrojnë Dinamon.

Sot Dinamo është në kategorinë e parë në vendin e fundit duke mos llogaritur Shkumbinin e dënuar ndërkohë nesër luan përball vendit të dytë të klasifikimit Beslidhjes.

“Dinamo ka nevojë të qëndrojë e e qetë pasi nesër ka një ndeshje të rëndësishme, pjesa tjetër është diçka e imja me palën tjetër që kemi bërë marrëveshjen, sot pasdite kemi një tjetër takim ku besoj do të mbyllet gjithçka”, tha ai më tej.

Top Channel