Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për media nga Gjilani, ka thënë se rreth 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë probleme shëndetësore dhe se aktualisht janë duke iu nënshtruar trajtimeve.

Qalaj ka thënë se si pasojë e mungesës së Ligjit për Policinë të njëjtët duhet t’i mbajnë në punë dhe nuk mund t’i shkarkojnë.
“E kemi në gjendje jo të mirë të policëve që kanë edhe telashe psikike”, ka thënë drejtori i Policisë.

“Për shkak të mungesë së ligjit duhet t’i mbajmë një punë”, ka shtuar tutje Qalaj.

Ai ka treguar se mbi 100 policë kanë probleme shëndetësore dhe se aktualisht janë duke u trajtuar, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë të përbashkët kanë marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndryshe, të martën në orët e pasdites, zyrtarja policore me inicialet V.B dyshohet se ka privuar nga jeta katër anëtarët e familjes së saj dhe në fund ka vrarë dhe veten.

Siç është konfirmuar edhe nga burime, policja në fjalë tashmë e ndjerë kishte pasur probleme psikike dhe para një kohe ishte nënshtruar një trajtimi psikik. Megjithatë, ajo asnjëherë nuk ishte suspenduar nga puna por vetëm ishte propozuar që të ulej në gradë.

Si pasojë e kësaj tragjedie mbrëmjen e të martës, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës në Gjilan.

Top Channel