‘Ankand’ për Kumbullën, Inter në ‘pole position’

19/02/2020 11:49

Klubi i Interit e ka shumë seriozisht për Marash Kumbullën, qendërmbrojtësin shqiptar të Veronës, që konsiderohet një nga zbulimet e këtij sezoni në Serinë A. Drejtuesit ziklatër, Marotta dhe Ausilio, kanë shtuar presionin duke takuar menaxherin e futbollistit 20-vjeçar, Gianni Vitali, në rastin e huazimit të Dimarcos te Verona.

Gjithçka të bën të mendosh që Interi do të bëjë të pamundurën për të mos i ikur rasti nga duart, por duhet pranuar se konkurrenca për shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare është shtuar ndjeshëm.

Për Kumbullën, javët e fundit ka punuar me shumë këmbëngulje presidenti i Napolit, De Laurentiis, i cili kishte arritur një marrëveshje me homologun e tij Setti për 21 milionë euro, plus 4 milionë bonuse. Mirëpo Kumbulla, nuk ka ndezur dritën jeshile për transferimin poshtë Vezuvit, duke i ngrirë bisedimet.

Pas këtij qëndrimi të shqiptarit qëndron pikërisht Interi. Drejtuesit zikaltër e kanë takuar disa herë menaxherin e djaloshit me origjinë nga Shkodra, duke e bindur që projekti i Contes do të ishte shumë i rëndësishëm për të.

Edhe Lazio me Fiorentinën kanë studiuar terrenin për të kuptuar mundësitë që kanë për blerjen e Kumbullës, por frika më e madhe vjen nga Bundesliga. Për mbrojtësin, javët e fundit ka shfaqur interes edhe Borussia e Dortmundit, klub që ka dhënë prova se kur hidhet në sulm për një objektiv, nuk kursehet, duke i lënë të gjithë “me gisht në gojë”. Rasti i fundit është ai i Haaland…

Top Channel