Mbi 1 miliard klikime për një këngë/ “Rap God” i Eminem thyen rekord në YouTube

18/02/2020 13:07

Ylli i Hip Hopit, Eminem, ka çimentuar statusin e tij si një forcë e vërtetë pasi një tjetër videoklip i tij, ka kapërcyer një miliardë shikimet në YouTube.

Videoklipi i këngës së 47-vjeçarit, “Rap God”, arriti rekordin në sajtin e ndarjes së videove, gjashtë vite pas publikimit të tij, në 2013. Në videon 6-minutëshe, shfaqet edhe këngëtari i lindur në detroit bashkë me homologë të tij, mes të cilëve Tyler The Creator, Joe Budden, dhe Machine Gun Kelly.

Të premten, Eminemi i dha videos edhe shtysën e fundit, duke ndarë në Instagram dhe Twitter një klip të vogël, me nënshkrimin : RapGod, numërim mbrapsht drejt 1 miliardëshit.

Rap God është videoja e tretë e Eminemit që kalon pragun e një miliardë shikimeve. Më herët, këtë e kishin bërë edhe këngët e tij “Not Afraid” dhe “Love the Way You Lie”, në të cilën shfaqet edhe Rihanna.

Ndërkohë, “Despacito” e Luis Fonsi dhe Daddy Yankee, është aktualisht videoja më e shikuar në YouTube, me 6.6 miliardë shikime. Gangnam Style, megahiti i koreanojugorit PSY, i 2012, ishte videoja e parë që kaloi një miliardë shikimet në YouTube.

Top Channel