Policia bastis grupin e ekstremistëve që do të sulmonte politikanë, refugjatë e muslimanë, për të krijuar kaos në Gjermani

14/02/2020 20:23

Policia në Gjermani ka kryer sot një seri sulmesh të koordinuara ndaj një grupi terrori të ekstremit të djathtë që kërkonte të krijonte një “situatë lufte” në vend me sulme ndaj politikanëve, azil-kërkuesve e muslimanëve.

Oficerët e njësive të specializuara goditën 13 vendndodhje në gjashtë lande gjermane duke kapur pesë anëtarët themelues të grupit dhe tetë simpatizantë.

Hetuesit thanë e grupi ende i paemëruar ishte themeluar në shtator 2019 nga pesë anëtarët themelues që ishin njohur online, me qëllim “tronditjen e shtetit dhe rendit social në Gjermani” dhe rrjedhimisht përmbysjen e tij.

Përveç themeluesve, mbështetësit e grupit kishin pranuar të jepnin ndihmë financiare, të siguronin armë e të merrnin pjesë në sulme të ardhshme.
Ata kishin krijuar një chat-room online ku diskutonin planet e tyre dhe shkëmbenin foto të armëve që kishin krijuar në kushte shtëpiake.
Policia tha se kreu bastisjet për të konfirmuar nëse imazhet e tyre ishin të vërteta apo të rreme.

Top Channel