Firmosja e dy marrëveshjeve mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç ditën e sotme në Mynih të Gjermanisë, bëri bujë të madhe, por mesa duket kryeministri i Kosovës nuk është i kënaqur me këtë që ndodhi.

Me anë të një reagimi në Facebook, Albin Kurti shprehet se zyrtarët që kanë firmosur marrëveshjen për hekurudhën dhe autostradën me Serbinë nuk kanë marrë autorizimin nga qeveria e re e Kosovës, as për të nënshkruar madje as për të negociuar një marrëveshje të tillë.

Kreu i qeverisë në Kosovë thotë se në lidhje me këtë marrëveshje ai nuk e ka parë versionin zyrtarë. Ai shton se sado që kjo është në të mirë të dy vendeve gjërat duhet të bëhen të njohura dhe transparente.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë më tej se në procesin e tranzicionit të qeverisjes po analizojnë të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.

“Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet” shkruan Kurti.

Kujtojmë se marrëveshja mes Thaçit dhe Vuçiç u krye në Mynih nën prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe ambasadorit Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriç.

Top Channel