“Buzëqesh që të jetosh gjatë”/ Sekreti i njeriut më të moshuar në botë

13/02/2020 16:32

Cili është sekreti për të arritur në 112 vjeç dhe për të hyrë në librin Guinnes të rekordeve si më i moshuari në botë?

Të mos zemërohesh kurrë dhe të buzëqeshësh gjithnjë”, thotë japonezi Chitetsu Watanabe, që sapo ka marrë titullin prestigjioz nga rekordet Guinnes. Ai ka lindur më 5 mars 1907 në Niigata, në veri perëndim të Japonisë dhe ka marrë certifikatën e rekordit të arritur në shtëpinë e pushimit ku qëndron, në qytetin e tij të lindjes. I vetmi mëkat i tij është nepsi: herë pas here i lejon vetes një puding me karamel.

Mbajtësi i mëparshëm i titullit, Masazo Nonaka, një tjetër japonez, u nda nga jeta në janar, kur kish mbushur 112 vjeç e 266 ditë. Rekordmenia absolute sidoqoftë është një grua, edhe ajo japoneze, që ka festuar ditëlindjen e 117 në janar. Japonia ka një nga jetëgjatësitë më mëdha në botë; në vend numërohen mbi 70 mijë 100-vjecarë në një popullatë totale prej rreth 126 milionë banorësh. Rekordi botëror i jetëgjatësisë mashkullore është ai i një tjetër japonezi, Jiroemon Kimura, që u nda nga jeta në 2013 pak pas ditëlindjes së tij të 116.

Sipas librit Guinnes, rekordi absolut i takon francezes Zhan Kalment, e ndarë nga jeta në 1997, në moshën 122 vjeç e 164 ditë.

 

Top Channel