Ministria e arsimit ka hequr dorë nga zotimi që u bëri studentëve për sa i përket kontrollit të titujve akademikë në universitete.
“Është një vendim që zhbën një nga premtimet e qeverisë dhe paktin për universitetin që ishte kontrolli anti-plagjiaturave. Pra jemi kthyer në pikën zero, ku universitetet e kishin në dorë ta bënin kontrollin dhe këto 30 vite nuk e bënë dhe pas protestës studentore këshilli I ministrave dhe kryeministri e morën përsipër vetë për ta bërë kontrollin”, u shpreh Rigels Xhemollari.
Por vendimi i këshillit të ministrave në 5 shkurt ndryshoi VKM e dhjetorit të 2018, ku ishte ministria e arsimit ajo që duhet të kryente kontrollin anti-plagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradave shkencore në institucionet e arsimit të lartë si dhe brenda 60 ditëve pas miratimit të kësaj VKM -je, universitetet duhet të dorëzonin pranë ministrisë kopjet e punimeve akademike.
“Ministria me gjithë strukturën e saj dështoi që për një vit të kryente këtë process, ndërsa me një vendim të sajin pretendon që në 60 ditë këto struktura universitare do të përmirësojnë situatën në universitet por duke theksuar se gjithashtu kjo përbën dhe konflikt interesi”, tha Migen Qiranxhi.
“Që do të thotë është një marrëveshje e dyanshme për të mos zbatuar VKM-në, universiteti nuk depoziton të dhënat e kërkuara , e ministria nxjerr urdhra që ia delegon sërish universiteteve kontrollin”, u shpreh Rigels Xhemollari.
Që në 14 janar ministrja Shahini, urdhëroi që universitetet para procesit zgjedhor nëpërmjet këshillave të etikës të verifikonin ligjshmërinë e fitimit të titujve akademikë për kandidatët.
“Kjo kompetencë kaluar këshillit të etikës mund të shërbejë si një armë për të eliminuar kandidatët që mund të rivalizojnë rektorët dhe dekanët aktualë. Si dhe kontrolli anti-plagjiaturë nuk mundet të jetë një nga pikat ku universiteti kërkon autonominë,pasi kontrolli duhet kryer nga një komision I pavarur, nëse do marrim edhe analogji me vettingun në gjyqësor do të shohim që u krye me sukses se kishim një komision të pavarur, kishim një metodologji, kishim një ligj”, tha Rigels Xhemollari.
Top Channel