OBSH shpall emergjencën botërore/ Vendimi jo për atë që po ndodh në Kinë, por për përhapjen në shumë vende

31/01/2020 00:24

Organizata botërore e shëndetësisë e shpalli më në fund emergjencën globale nga koronavirusi i ri, që ka marrë deri tani 170 jetë njerëzish në Kinë, e që vazhdon të përhapet jashtë kufijve të saj. “Arsyeja kryesore e këtij vendimi, nuk ishte ajo çfarë po ndodh në Kinë, por ajo që po ndodh në shtete të tjera”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Shqetësimi kryesor është se virusi mund të vazhdojë të shtrihet në vende që kanë një sistem më të dobët shëndetësor. Deri tani, nga të dhënat zyrtare rezulton, të ketë të paktën 98 raste të prekurish në 18 vende të tjera, veç Kinës, por jashtë saj aktualisht nuk ka vdekje. Në Gjermani, Japoni, Vietnam dhe SHBA janë regjistruar tetë raste infektimi nga njeriu tek njeriu, prej personash që nuk kishin udhëtuar vetë, në vendin e origjinës së virusit.

Duke folur në një konferencë shtypi në Gjenevë, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ghebreyesus, e përshkroi virusin si “një shpërthim të paprecedentë epidemik”, për të cilin nevojitet një “përgjigje e paprecedent”. Ai i lavdëroi autoritetet kineze për masat e jashtëzakonshme që kanë marrë, me qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjes, edhe pse ka pasur raporte në media, sipas të cilave, zyrtarët atje u përpoqën fillimisht ta fshihnin problemin.

Por çfarë do të thotë kjo emergjencë?

Shpallja e koronavirusit një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar do të lejojë OBSH-në të koordinojë më mirë reagimin ndërkombëtar dhe t’i mbajë Kombet e Bashkuara në ndihmën kundër kësaj sëmundje. Më pas parashikohet të jepet edhe llogari për standardet e organizatës – të cilat mund të kenë të bëjnë me udhëtimin, tregtinë, karantinën ose shqyrtimin e rasteve të përhapjes së kësaj epidemie. Më parë janë deklaruar pesë emergjenca globale të shëndetit publik:

Gripi i derrit ne 2009 – Virusi H1N1 u përhap në të gjithë botën duke vrarë më shumë se 200,000 njerëz.

Polio – Megjithëse më afër se kurrë deri në zhdukjen e tij në vitin 2012, numri i poliomielitit u rrit në 2013.

Zika, 2016 – OBSH e shpalli Zikën një emergjencë të shëndetit publik pasi sëmundja u përhap me shpejtësi nëpër Amerikë.

Ebola, 2014 dhe 2019 – Sëmundja vdekjeprurëse është shpallur dy herë si urgjencë e shëndetit publik. E para zgjati nga gushti 2014 deri në mars 2016 pasi pothuajse 30,000 njerëz u infektuan dhe më shumë se 11,000 vdiqën në Afrikën Perëndimore. Një emergjencë e dytë u shpall vitin e kaluar si një shpërthim i përhapur në Republiken Demokratike Kongos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA