Valencia, leksion futbolli Barçës dhe Quique Setienit!

25/01/2020 22:39

Quique Setien u emërua në krye të Barcelonës për shkak të filozofisë së tij sulmuese, por mori një leksion të vërtetë futbolli nga Valencia, që i shkaktoi humbjen e parë në drejtim të “blaugranave”.

Kjo superpërballje e zhvilluar në “Mestalla” u mbyll me fitoren e merituar 2-0 të vendasve, që në fakt shënuan edhe një gol tjetër, të anuluar nga VAR-i, si dhe humbën një 11-metërsh në pjesën e parë, të dhëna këto që tregojnë dominimin e Valencias, e cila rikthehet të fitojë pas 13 vjetësh në La Liga ndaj Barcelonës në “Mestalla”.

Që Barcelona ishte në një ditë të keqe, kjo u kuptua që kur nisi takimi, teksa në minutën e 10-të u akordua një 11-metërsh për vendësit, por që nuk u shndërrua në gol nga Gomez. Në të 29-ën Gameiro tronditi traversën, ndërsa pak çaste më vonë Ter Stegen i mohoi golin Francis Qoquelin.

I pafat Jordi Alba në minutën e 48-të, pasi devijimi i tij në momentin e goditjes së Gomezit nxori jashtë loje Ter Stegenin, me topin që përfundoi në rrjetë.

Tentativa e Messit nga goditja e lirë (74’) u devijua nga portieri, ndërsa 3 minuta më vonë Maximiliano Gomez  përmbylli me gol një tjetër aksion të shpejtë të Valencias, duke i dhënë goditjen përfundimtare Barcelonës.

“Blaugranat” jo vetëm që nuk ia dolën të ktheheshin në lojë, por pësuan të tretin, që për fatin e tyre të mirë u anulua nga Gil Manzano, për ndërhyrje të gabuar në zonë ndaj Busquets, para se të niste ekzekutimi i këndores. Pak rëndësi pati ky episod, pas Barcelona nuk gjeti forca për të reaguar në minutat e mbetura.

Top Channel