Me anë të një cikli grafik që e quan “Mite të Vjetra Moderne” Hermon Madhi shpreh revoltën e tij ndaj denatyralizimit të botës njerëzore që e orientojnë shoqërinë drejt humbjes së vlerave.

Sipas tij po jetojmë në një botë pak të ndjeshme.

“Në një këndvështrim timin e shikoj që shoqëria moderne është pak e thatë. Kemi të bëjmë me nje njeri të programuar, të kontrolluar, skllav i rrjeteve sociale ose disiplinës, shpesh shenjtëron paranë. Në fakt bota është shumë më e dashur, më e bukur se kaq, sepse është vetë njeriu që e bën të bukur. Dhe njeriu nuk mund të rrojë dot pa emocione. Imagjinoni një njeri që s’qan apo s’qesh”, tha Hermon Madhi.

Ju thoni që arti është një balancë midis logjikës dhe emocionit, si ka mundësi?

Është, sepse njeriu ndërton një të ardhme në bazë të logjikës, ku ai i balancon situatat. Natyrisht që është emocion, sepse ruan befasinë në rrugën e tij, të cilën ai se programon dot.

Sipas artistit heronjtë mitikë mbeten modern, sepse ata flasin gjithmonë duke qenë të sinqertë me ne, pavarësisht nga koha dhe shijet.

Cilat janë temat e prekura? Shoh më shumë histori dhe letërsi.

“Janë fragmente nga historia, mitologjia dhe bible dhe në një moment i kam parë ashtu siç i sheh një njeri sot. Ku shpesh një element e merr dhe e përdor sipas interesit të tij. Gjë që është normale, sepse brenda një historie përpiqet të gjejë atë që i intereson”, tha Madhi.

Në realizimin e këtij cikli është përdorur rapidografi, me të cilin Madhi ka skalitur çdo hollësi.

Ju thoni që teknologjia nuk e realizon dot këtë, vetëm puna e dorës apo jo?

“Po. Puna e dorës, sepse teknologjia mund të realizojë shumë gjëra të mrekullueshme, por është njëlloj si fara e një bime të shëndetshme dhe ka nevojë për dorën e njeriut.”, shton ai.

Ekspozita qëndron ne COD, Qendrën për Hapje dhe Dialog./Jetona Kocibelli/

Top Channel