Gjici: Bashkia s’financon Kukësin/ Presidenti nuk fsheh vështirësitë e klubit verilindor

19/01/2020 15:21

Këtë të diel Kukësi realizoi seancën e parë stërvitore që pas rikthimit nga Antalia. Prezent ishte dhe presidenti klubit Safet Gjici i cili preferon të quhet president nderi megjithëse ishte ai që mbajti një fjalim për skuadrën përpara se futbollistët të vendoseshin nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro. Gjici foli për Top Channel duke mos u kursyer për asgjë madje duke u treguar si gjithmonë i drejtpërdrejtë.

Si e sheh gjendjen e skuadrës e mbi të gjitha cila është pika e dobët e tyre?

Safet Gjici, President i Kukësit:

‘’Skuadra është në formë mjaft të mirë, dhe mesa me kanë komunikuar drejtori dhe trajneri lajmi pozitiv është që nuk kemi pasur dëmtime. Ne penalizohemi sepse nuk kemi stadiumin tonë dhe na është dashur për dy vite, pra sezonin e kaluar dhe këtë aktual ta luajmë në stadium të ndryshme’’.

Ne vijim Gjici foli më tepër si kryetar i bashkisë së Kukësit por dashuria për klubin e bëri që ne fjalën e tij të pranonte se bashkia që drejtohet nga ai as më parë e as tani nuk financon për skuadrën.

Safet Gjici, President i Kukësit:

‘’Unë jam president nderi sepse posti im tani është kryetar bashkie. Në të vërtetë bashkia ka disa aksione në klub por realiteti është që asnjëherë nuk kanë pasur kapacitetin për të financuar për klubin, as më parë e as tani ndaj duhet të pranoj që për dikë që financon është sforco e madhe’’.

Në fund një koment për rivalin direkt, vlerësoi Tiranën e Bylisin por Partizani mbetet ekipi për tu mundur.

Safet Gjici, President i Kukësit:

‘’ Mendoj se deri në fund të kampionatit do rivalizojmë me Partizanin. I ftoj tifozët të jenë prezent në stadiumin e ri aty ku do të ndeshemi me ta dhe të na mbështesin. Të vijnë jo vetëm për të parë Air Albaninan por për të shijuar një ndeshje që unë mendoj se do jetë spektakolare’’.

 

Top Channel