Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta ftojë në takim tjetër Lidhjen Demokratike të Kosovës, pa e shqyrtuar kjo e fundit propozimin e dhënë nga Albin Kurti.

Anëtarja e kryesisë, Arbërie Nagavci thotë se LDK-ja duhet t’i përgjigjet kësaj shkrese për të treguar se me cilat pozita nuk pajtohen.

Gatishmëri për vazhdim të negociatave ka shprehur edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Por, Osmani thotë se propozimet përmes shkresave zyrtare duhet të marrin fund dhe partitë t’i rikthehen tryezës së diskutimit.

Osmani është shprehur se LDK-ja nuk do të ngrit peticion për shkarkimin e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, e as nuk duan shkarkimin e tij përmes partisë, dhe se në takimin e fundit me 8 janar kishin shprehur pëlqimin për përzgjedhjen.
Por, situata e krijuar po e bind shoqërinë civile se asnjëra nga dy partitë nuk duan koalicion.

Vetëvendosje për shkak të frikës së marrëveshjes finale me Serbinë, e LDK-ja për shkak të frikës se me këtë koalicion do ta fuqizojë LVV-në.

Krijim sa më të shpejtë të Qeverisë, përveç qytetarëve dhe shoqërisë civile është duke kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare./Alberta Hashani/

Top Channel