Nata finale e Hells Kitchen Albania 2 në Top Channel dhuroi një spektakël plot emocione nga momentet e para kur gjashtë finalistët hynë në kuzhinë e deri në çastin e shpalljes së fituesit, Françesko Tuku.
Për herë të parë Djalli u shfaq i zbutur, duke nxjerrë në pah një anë krejt të panjohur për publikun dhe arsyeja ishte prania e mamasë së chef Renato Mekolli në Hells Kitchen. Duket se portreti i mamasë së Renatos shoi flakët e Ferrit, por nga ana tjetër zbuloi një raport unik mes tyre. Chef Renato përmes rrëfimit me të ëmën rikujtuan rrugëtimin e mundimshëm të familjes së tyre në emigracion, përpjekjet që i janë dashur që në krye të herës kur vendosën të jetonin dhe integroheshin në Greqi.
Mamaja e Chefit zbuloi për publikun shumë sekrete, një prej tyre ishte kontakti i parë i të birit me kuzhinën, kur Renato ishte ende nxenës në shkollën 8 vjeçare kur edhe nisi të eksperimentonte me gatimin. Këto momente sollën emocione, të qeshura dhe përlotje, teksa të dy kujtonin historinë e tyre. Surprizë ishte po ashtu kur mamaja e chef Renatos solli pjatën e tij të preferuar në Hells Kitchen, të cilën ai e transformoi në një recetë moderne. Momentet e gatimit e përlotën chefin teksa ai për herë të parë i kërkoi publikisht falje të ëmës për mungesën e gjatë në familje gjatë periudhës së emigracionit, ku atij shpesh i është dashur të fokusohet më shumë tek puna, duke lënë pas dore familjen.
Mjaft pikant dhe plot humor ishin kujtimet e periudhës së fëmijërisë, duke zbuluar raportin nënë e bir, por momenti që ngjalli më shumë kërshëri ishte kur mamaja zbuloi një merak të madh, atë ndoshta të çdo nëne, dëshira se kur ajo do të shohë të birin të martuar, situatë e cila nga chef Renato u prit me batuta nga ato që vetëm ai di të sjellë në ekran, e padyshim në fund me një premtim.
Mjaft emocionues gjatë finales ishte kur të afërmit e gjashtë finalistëve erdhën për të mbështetur konkurentët, por ama momenti që i bëri të gjithë të përloten, madje edhe chef Renaton, ishte ai kur u kujtua mungesa e mamasë se Ledionit, çast i cili mbajti për një kohë të gjatë konkurentët në mallëngjim, madje kjo ishte edhe videoja që u pëlqye më shumë mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale.
Por ajo që mbajti gjallë adrenalinën e finales, ishte sfida kokë më kokë mes dy finalistëve Visarës dhe Françeskos, të cilët gatuan darkën e tyre të fundit në Hells Kitchen me ndihmën e ish-konkurentëve.
Për herë të parë shpallja e fituesit u realizua Live, ku mes shumë emocionesh, chef Renato Mekolli zgjodhi fituesin e HKA2, i cili ishte Françsko Tuku, një djalë i talentuar i cili për 13 javë rresht përballoi presionin e kuzhinës dhe arriti që përmes talentit të tij, të realizojë pjata të shkëlqyera.
Fituesi i Hells Kitchen do të firmosë një kontratë me restorantin e chef Renato Mekolli, ndërkaq, chefi i Kuzhinës së Djallit anonçoi në fund të spektaklit edhe hapjen e audicioneve për HKA3.
Top Channel