Ndeshja bamirësisë “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku” mes brezit të artë të kuqezinjve të viteve 2000 dhe një kombëtare yjesh të Italisë, Greqisë dhe Turqisë ka hyrë në 24 orëshin e fundit nga vërshëllima e takimit të parë.

Nga shumë larg, nga Arabia Saudite ka mbërritur mëngjesin e së enjtes në kryeqytet një nga emblemat të kombëtares së atyre viteve, si Besnik Hasi, aktualisht trajner i Al Raed.

“Është e moralshme që të jesh këtu. Çdo njeri duhet të ndihmojë në këtë kauzë dhe njerëzit atje ku jam unë e kuptojnë këtë gjë. Edhe pse lash ekipin 2 ditë para ndeshjes vetëm,  kam stafin tim dhe presidenti tha se: E ke te obliguar, nuk ka problem…”, shprehet Hasi.

Për herë të parë kuqezinjtë do të kenë një përfaqësuese të vetme të shqiptarëve, thuajse të gjitha trojet, si Kosova, apo Maqedonia e Veriut.

“Një ëndërr që të gjithë e ndjejnë por asnjëherë nuk është realizuar, por në këtë mënyrë mund të luajmë bashkë, që të jemi të gjithë së bashku për fanelën kuqezi. Do të më emocionojë takimi me çunat tonë që kemi luajtur bashkë”, shton ai më tej.

Prej viti 2008 Bensik Hasi ka filluar karrierën si asistent dhe trajner i parë me klube me emër si Anderlehte, Legia Varshaves apo Olimpiakos, dhe si i vetmi trajner shqiptar që ka drejtuar në nivele të larta ndërkombëtare, Hasi ka qenë dhe mbetet edhe një alternativë për përfaqësueset shqiptare.

“Jam mësuar të jem çdo ditë në fushë, akoma kam energji që të jem çdo ditë me çunat dhe t’i stërvis. Por, kur ke moshën e duhur dhe përvojën e duhur do vij edhe Kombëtarja”, thotë ai në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa.

Top Channel