Kjo fundjavë e kategorisë Superiore ishte e zezë për disa prej trajnerëve dhe jo vetëm për rezultatet e skuadrave të tyre në ndeshjet e radhës.

Partizani, Teuta, Luftëtari kanë mbetur pa trajnerë pasi drejtuesit e tyre vendosën të largojnë trajnerët respektivë. Franco Lerda i tha lamtumirën skuadrës kampione të vendit, partizanit. Humbja në derbin me Tiranën në Air Albania Stadium  që solli edhe zbritjen në klasifikim të Të Kuqve duket se pati ndikimin më të madh te drejtuesit e klubit kryeqytetas në marrjen e vendimit për të ndërprerë bashkëpunimin me të, ndërkohë që tani i do t’i duhet të nisë kërkimet për pasuesin e tij.

Të njëjtin fat si Franco Lerda pati edhe Bledi Shkëmbi te Teuta. Klubi durrsak njoftoi shkarkimin e 40-vjeçarit thuajse në të njëjtën kohë me vendimin e publikuar edhe nga Partizani për trajnerin italian. Humbja 4-0 me Kukësin rezultoi një goditje e fortë për klubin  durrsak që tani e sheh veten në vendin e 7 në renditje me 22 pikë, vetëm 2 pikë më shumë se Skëndërbeu që është në vendin e 8.

Por vala e shkarkimeve në Superiore nuk mbyllet me kaq. Edhe Jorgos Marantas i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin shqiptar pasi është shkarkuar si trajner i Luftëtarit, diçka që është konfirmuar nga vetë drejtuesit e klubit gjirokastrit të cilët në të njëjtën kohë bënë të ditur se trajneri grek për dy ndeshjet e  fundit të 2019 do të zëvendësohet nga Neritan Novi

 

Top Channel