Sikur nuk u ka mjaftuar edicioni me plot telashe, KF Vëllaznimi merr një tjetër goditje, tashmë nga Komisioni Disiplinor në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Klubi gjakovar dhe zyrtarët e saj, duke përfshirë edhe futbollistin Ardit Vokshi e kanë pësuar keq nga ky organ i FFK-së, pasi kanë marrë dënime të ashpëra për shkak të incidenteve të shkaktuara pas përfundimit të ndeshjes së javës së 16-të ndaj Onixit në Gjakovë.

Klubi i Vëllaznimit është gjobitur me 1,000 euro për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes.

Kryetrajneri i saj Ekrem Radoniqi është suspenduar për dy ndeshje mos ushtrim të funksionit të tij për shkak të protestave ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes.

Dënimin më të rëndë e ka pësuar ndihmëstrajneri i kësaj skuadre Luan Tabaku, i cili është suspenduar për pesë ndeshje, shkaku që kishte kapur një futbollist të skuadrës mysafire për fyti pas përfundimit të ndeshjes.

Për shkak të kartonit të kuq dhe tentim sulmit ndaj futbollistëve të Onix, lojtari i Vëllaznimit, Ardit Vokshi është dënuar me pesë ndeshje mos lojë.

Ndërkohë, zyrtari i këtij klubi Besnik Gojani ka shpëtuar me vetëm 200 euro gjobë si rrjedhojë e organizimit të dobët të ndeshjes.

Top Channel