Brazil, trazira për shkak të futbollit/ Bie ekipi nga kategoria, tifozët dhunë në stadium

10/12/2019 12:11

Një prej klubeve më të njohura të futbollit brazilian përjetoi një tragjedi sportive teksa për herë të parë në historinë e tij e pa veten të zbresë në Divizionin e Dytë të kampionatit duke konfirmuar kështu krizën e thellë që e ka mbërthyer dhe këtu përfshihet edhe ajo financiare.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit, shpresa e Cruzeiros ishte fitorja ndaj Palmeiras dhe humbja e Cearas ndaj Botafogos. Por kjo skuadër u mund nga Palmeiras në fushën e saj ndërsa Ceara barazoi 1-1 sfidën e saj rezultate që dënuan zyrtarisht Cruzeiron me rënie nga kategoria.

Kjo situatë acaroi së tepërmi tifozët e skuadrës nga Belo Horizonte që pa u mbyllur mirë sfida, filluan të shfaqnin dhunë brenda në stadium dhe jashtë tij. Një zëdhënës i Policisë Ushtarake tha për AFP se të paktën 30 persona mbetën të lënduar nga përleshjet, 3 nga të cilët u dërguan në spital. Policia nga ana e saj në përplasjet me tifozerinë e zemëruar përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë.

Askush nuk e imagjinonte këtë fund për Cruzeiron që u themelua në 1921 dhe që në historinë e tij ka 2 fitore në Liberating Cup. Po kështu, Cruziero ka fituar 4 herë titullin kampion të Brazilit dhe ka rekordin me 6 triumfe në Kupën e Brazilit

Top Channel