Zëdhënësi i Presidencës Turke kërkon tërheqjen e Çmimit Nobel për Peter Handke

08/12/2019 08:56

Zëdhënësi i Presidencës Turke, Ibrahim Kalın ka bërë thirrje që të tërhiqet vendimi për dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili mohon gjenocidin e Sebrenicës dhe i cili mbron kriminelët serbë të luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim nga llogaria e tij në Twiter, Kalın ka rikujtuar se të hënën do t‘i jepet çmimi Nobel për Letërsi, Peter Handke i cili mbështet ish-liderin serb, Slobodan Millosheviç dhe që mohon gjenocidin e Bosnjës.

“Duhet të bëhet kthesë nga ky vendim jo logjik dhe i turpshëm. Si mund t‘i jepet çmimi NobelPrize një personi që nuk ka ndërgjegje? Për të inkurajuar gjenocide të tjera?, ka thënë Kalın.

Kujtojmë se dje ministri i Jashtëm, njëherësh zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka konfirmuar se Kosova do ta bojkotojë këtë ngjarje.

“Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Unë konfirmoj se ambasadorja jonë znj. Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit kontrovers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit”, shkroi Pacolli.

Gjithashtu një protestë e madhe është paralajmëruar kundër Akademisë Suedeze në Stokholm gjatë ndarjes së Çmimit Nobel./AA

Top Channel