Ndoj fiton derbin kuqezi me Berishën, Fiorentina “bie” në Torino

08/12/2019 17:55

Emanuele Ndoj fiton derbin e shqiptarëve me Etrit Berishën në takimin SPAL – Brescia, që u mbyll me fitoren 0-1 të “Dallëndysheve”. Golin që përcaktoi fituesin në këtë takim e realizoi Mario Balotelli në minutën e 54-t.

Duhet theksuar se skuadra e SPAL-it shpërdoroi një 11-metërsh me Petagnan në minutën e 74-t. Si Berisha dhe Ndoj e nisën titularë këtë përballje, por nëse “gardiani” kuqezi qëndroi gjatë gjithë lojës në fushë, mesfushori i ri u zëvendësua në minutën e 66-të, duke ia lënë vendin Magnanit.

Torino iu imponua 2-1 Fiorentinës me golat e Zazas dhe Ansaldit, ndërsa për ekipin vjollcë, që reagoi vonë, nuk pati vlerë rrjeta e Caceres në shtesë.

2-2 përfundoi Sassuolo – Cagliari, me ekipin ishullor që reagoi në fundin e takimit me finalizimet e Joao Pedros dhe Ragatzu, ndërsa me herët për vendësit kishin shënuar në pjesën e parë Berardi dhe Djuricic. Berardi humbi penalltinë kur rezultati ishte 2-1 për Sassuolon, episod që ndodhi në minutën e 66-të.

Me të njëjtin rezultat 2-2 përfundoi edhe Lecce – Genoa. Pandev dhe Criscito (11-m) i dhanë epërsinë e dyfishtë skuadrës mike në pjesën e parë, por puljezët reaguan në fraksionin e dytë me Falcon dhe Tabanellin. Genoa e mbylli takimin me 9 futbollistë, pasi Agudelo dhe Pandev u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Top Channel