Specialistët në Shqipëri mendojnë se pasojat e rënda pas tërmetit të 26 Nëntorit në një pjesë të konsiderueshme të territorit, kanë si shkak përveç tërmetit edhe faktorin njerëzor.

Gjeologë, inxhinierë dhe urbanistë konstatojnë se dëmet u shumfishuan si rrjedhojë e ndërtimeve në zona të rrezikshme, pa kriter pa planifikim, me cilësi të dobët jashtë kushteve teknike, për të cilat prej vitesh i kanë tërhequr vëmendjen autoriteteve por pa rezultat. Ligjet për kontrollin e ndërtimeve dhe të cilësisë së tyre ekzistojnë por në mjaft raste ato nuk janë zbatuar thonë ekspertët.

Ata shprehen se tërmeti zbuloi të gjitha defektet e ndërtimeve në 3 dekada në Shqipëri.

“Janë disa faktorë. Faktor është tërmeti. Faktor është gjeologjia. Faktor është cilësia e materialeve të ndërtimit. Faktor është çimetoja, hekuri dhe mënyra se si përgatiten materialet” – thotë Fitim Bello Inxhinier ndërtimi.Specialistët mendojnë se ajo që ndodhi në Durrës është rrjedhojë e ndëertimeve me leje dhe pa leje në zona të cilësuara të rrezikshme për ndërtime si në zonën e kënetës dhe në atë të plazhit.“Është ndërtuar sipas njohjeve. Tani miku është shoqëruar dhe me ca vlera monetare, sepse nuk është vetëm mik. Problemi është që gjithë ai plazh që menduan autoritetet për t’a zhvilluar në zonë të banuar ku e kanë planin?”- shprehet Luljeta Bozo, Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.

Urbanistët mendojnë se zhvillimi i territorit në Shqipëri ka ardhur i paplanifikuar dhe se i është dhënë më shumë rëndësi lejeve të ndërtimit se sa planifikimit të territorit.

“Kjo ka sjellë që niveli i korrupsionit të jetë i lartë, në shumë dimensione. Jo vetëm korrupsioni në kuptimin e mitmarrjes që njohim, por dhe të trafiqeve politike dhe marrëdhënieve të dyshimta ose të diskutueshme, si përsa i përket moralit ashtu edhe përsa i përket ligjit” – thotë Gent Kaprata, specialist urbanist. Ekspertët ngrenë shqetësimin për mënyrën se si është ndërtuar, kriteret e dhënies së lejeve të ndërtimit, zbatimin e projekteve, kontrollin e cilësisë së punimeve gjatë ndërtimit të godinave disa katëshe që u rrëzuan ose mbetën të dëmtuara rëndë nga tërmeti.

Top Channel