Fiks Fare solli fakte mbi mënyrën sesi abuzohet me tenderat publike në institucionet shtetërore.

Tenderi është zhvilluar disa muaj më parë në Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe vetë specialistët e ngarkuar me këtë detyrë kundërshtojnë veprimet e drejtueses së institucionit në Komisionin e Prokurimit Publik.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e këtij komisionit për të ndaluar dhe anuluar një tender të zhvilluar disa muaj më parë, për të cilin drejtuesja e institucionit u kishte sjellë 3 shtojca për të vendosur specifikime të ndryshme që përcaktojnë fituesin e tenderit.

Ankesa e specialistëve të këtij institucionit ka shkuar deri në zyrën e kryeministrit të vendit.

Pranë sekretarisë telefonike të Fiks Fare pak ditë më parë mbërriti një audio bisedë ku diskutohej mbi një tender te Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Punonjësit flasin për presionin që ushtron drejtoresha e këtij institucioni për specifikimet teknike që paracaktojnë fituesin. Gjatë bisedës përmendet që janë bërë tre shtojca për të ndryshuar specifikimet. Fiks Fare zbuloi që ky tender ish shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik në Qershor të këtij viti. Tender me fond limit rreth 13 milion lekë të reja, “Materiale Promocionale” për Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

Fiks Fare, disponon gjithashtu edhe dokumentet e shtojcave të bëra për këtë tender. Biseda që u dëgjua dhe transmetua mbrëmjen e së hënës, është zhvilluar në zyrat e Komisionit të Prokurimit Publik, mes dy punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe dy punonjësve të Komisionit të Prokurimit Publik.

Fiks Fare kontaktoi dhe intervistoi një nga pjesëmarrësit në këtë bisedë, Leonard Maçi, aktualisht ish drejtor i Marketingut pranë AKT-së. Ky i fundit u shpreh se e mban mend bisedën dhe kjo është zhvilluar pranë KPP-së. Duke konfirmuar kështu autenticitetin e audios dhe pjesëmarrësit në të. Ai u shpreh se bashkë me të në zyrë ka qenë edhe specialistja e Imazhit pranë AKT-së Ifijeni Dule, të cilës nga drejtoresha Kronelia Ferizaj i është ushtruar presion për të ndryshuar specifikimet që do të favorizonin fituesin. Gjithashtu ai u shpreh se sot është i papunë, pasi është larguar nga puna pak ditë më parë pa të drejtë, pikërisht nga debatet që ka patur me titullaren e institucionit. Ai pretendon se ky tender ishte i paligjshëm dhe se kjo nuk ishte përplasje e parë apo shkelja e parë e bërë nga titullari. Si shembull solli pjesëmarrjen e tij në vetëm dy panaire, nga 9 që ka zhvilluar institucioni pra ku drejtoresha e ka aneksuar.

####

Bisedë me Brunilda Aliaj specialiste dhe përgjegjëse e pranimit të ankimeve pranë Komisionit të Prokurimit Publik, (ish) Leonard Maçi drejtori i marketingut dhe promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ifejene Dule specialiste imazhi pranë AKT-së.

Ifejeni Dule – Ta shpjegoj unë si është fillesa fare. Ngrehet urdhëri për njësinë e prokurimeve, ndërkohë 3 personat ne, asnjëri jurist. Dmth, unë jam artet, unë kam mbaruar artet. Më fut tani mua ti, njësi prokurimi! Na vijnë TSD-të e gatshme, nga drejtori. Edhe na thonë firmosni se do t’i çojmë në KPP, dhe sipas sugjerimeve të KPP-së, ne do bëjmë ndryshimet. Dhe me çfarë mbaj mend aty një nga pikat ishte grafik dizajner, mbaruar shkollën e lartë, edhe i thashë, jo shkollën e lartë por çertifikatë. Dhe tani, pasi bëra unë të gjithë gurgulene në kryeministri…

Brunilda Aliaj – Kaq gurgule është bërë ky tenderi juaj?

Leonard Maçi – Po është bërë pra gurgule sepse…

Ifejeni Dule – ..këta bëjnë një shtesë të tretë,që e bëjnë, me të paktë 15, si puna ime, është shtojca e tretë. Tek dy nga pikat ishte, tek TSD-të e para, mbi 25 punonjës, që i thashë unë e keni shumë 25 punonjës!

Brunilda Aliaj – Pooo.

Ifejeni Dule – Dhe unë bëra tek procesverbali, të paktën 15.

Brunilda Aliaj – Po.

Ifejeni Dule – Dhe u bënë tre shtojca. Drejtoresha e APP-së më thotë mua, çudi e madhe, për një tender tre shtojca.

Ifejeni Dule – E di, a mund t’ju kërkoj, t’ju dërgoj një e mail zyrtar, ose një shkresë zyrtare. Ku si komision i njësisë së prokurimit, t’ju them, më specifikoni, ore siç doni ju që unë ta bëj.

Brunilda Aliaj – Ta bëjmë ne këtë?

Ifejeni Dule – E di pse? Sepse do shkoj atje, dhe ata e kanë xha fituesin. Kupton! Dhe do mundohen prapë, jo të vihet shtojca katër, por të vihet shtojca dhjetë aty.

Brunilda Aliaj – Kush është drejtoreshë tek ju?

Ifejeni Dule – Kornelia Ferizaj.

Leonard Maçi – Një, është me ngarkim në detyrë dmth.

Ifejeni Dule – S’është me ngarkim në detyrë nga Dap-i, është nga Ministri. Ministri është pozicion politik.

Leonard Maçi – Ajo vjen nga shefe e sektorit, bëhet drejtoreshë drejtorie, si puna ime me DAP.Dhe në DAP rezulton drejtoreshë projektesh. Dhe ministri, personi politik dmth, shkon dhe e ngarkon në detyrë.

Brunilda Aliaj – Ju vareni nga Klosi?

Leonard Maçi – Nga Ministria e Turzmit, po. Kështu ajo është, kundra ligjit të nëpunësit civil, dhe kodit të proçedurës administrative. Dhe në atë vend pune ajo është abuzive, dhë të gjitha aktet ligjore, nën ligjore që kanë dalë nga ajo janë ta pavlefshme.

Brunilda Aliaj – Po mirë, e di njeri këtë?

Leonard Maçi – I kam bërë unë. Kam kërkesë padi në gjykatë. I kam shkuar komisionerit, kam hedhur DAP-in në gjyq për shërbimin civil, të gjitha ja kam çuar unë atyre. Ti e shikon se çfarë të ndodh? Ty të vjen protokollistja…

Brunilda Aliaj -Të vjen si drejtoreshë.

Ifejeni Dule – A e kupton!!

Brunilda Aliaj – Qenkan institucion shumë i lezetshëm. Qenkan për të dalë në televizor. Qenkan për të qeshur…

Ifejeni Dule – Unë po çmendem. Unë nuk di, unë si njësi prokurimi, nuk di çfarë bëhet. Çfarë dërgohet…

Brunilda Aliaj – Ej, s’na kishte bërë vaki në mes të Tiranës kështu. Në ndonjë komunë, mund ta mendoja, por jo në mes të Tiranës.

Leonard Maçi – Bruna, Bruna shiko, janë…

Ifejeni Dule – Duan t’ja japin shiko, vjet ja kanë dhënë…

Brunilda Aliaj – Po t’ja japi moj kujt të dojë, por të bëj letrat.

Ifejeni Dule – E di si është për t’ja bërë, është për ta anulluar fare. Mos të bëhet fare si tender.

Leonard Maçi – Po pra atë po them, unë s’dua. Unë s’dua të bëhet fare ky tender ,sepse ky tender bie era kërmë. Më kupton, bie era kërmë.

Brunilda Aliaj – Shiko mënyra sesi po fliste ai nuk më pëlqeu.Nuk më ka ndodh asnjeherë,une kam 20 vjet me prokurimet,të më vijë një autoritet.Të gjithë autoritetet vijnë prokure…ai erdhi duke ulëritur pse ti s’më gre telefonin.

Leonard Maçi – Jo në atë lloj forme.

Brunilda Aliaj – Ai erdhi duke ulëritur. E para e punës, ti nuk më ngre telefonin. Duke bërtitur ky, se drejtoresha ime që erdhi është një budallaçkë që s’merr vesh. Ata të KVO-së nuk merren vesh me njeri -tjetrin, nuk dinë e…. Më fal kush je ti i thashë unë, se kemi gjysmë ore që po debatojmë? Kush je ti i thashë unë?Uli kokën poshtë.Emrin, emrin! Nertil Kanina tha. Pozicioni? Shef i sektorit të prokurimeve.Thashë ti qenke…

Leonard Maçi – Të ka dhënë emër falso.

Ifejeni Dule – Nuk e kemi në strukturë një herë, shefin..

Brunilda Aliaj – Dëgjo, Nertil Kanina ekziston…

Ifejeni Dule – E shikon çfarë bëhet mo Nardi?

Brunilda Aliaj – E mail e? Kush ka bërë e mail tek ju?

Leonard Maçi – S’ka, duhet denoncu.

Ifejeni Dule – E di pse janë bërë tre shtojca! Se këta pa dijeninë time, dhe pa dijeninë e këtij. Në procesverbal ne kishim të paktën 15 punonjës. Këta kishin hedhur mbi 15. I thashë pse keni hedhur mbi 15. Po, jo se është e njëjta gjë. U bë nami. Shkoj në APP, unë…Se shkova lart fare, se unë po çmendem.

Brunilda Aliaj – Po lart fare s’ju kanë dhënë zgjidhje! Kot po ju them..

Ifejeni Dule – Rama më çoj tek drejtoresha e APP-së.

Leonard Maçi – I shkruajtëm Ramës të dy ne.

Ifejeni Dule – Tek drejtoresha e përgjithshme, më priti ajo vetë. Dhe më tha. Çudi e madhe tha, për një tender tre shtojca.

Brunilda Aliaj – Ky djali, “shefi i prokurimeve” më tha – “Të publikoj një DST të reja nga e para, dhe të jemi në rregull” Po i thashë, me që e paskeni bërë mullar me 700 shtojca, publikoje the thuaj -” DST-të e sakta, datë kaq, pas vendimit të KPP-së.

Ifejeni Dule – Këto ishin fjalët e Sindit që më tha dje në punë. Prandaj unë kërkova të vij sot këtu.
Leonard Maçi – Më tha -” Drejtoreshës i ka ardhur një e mail nga një person ekspert brenda KPP-së…
Brunilda Aliaj – Do ta sqaroj unë e mailin, ëhë…

Ifejeni Dule – Ku i shpjegon…

Brunilda Aliaj – E mail-et vetëm unë i nis.

Ifejeni Dule – E maili është ky…

Brunilda Aliaj – E mail-et vetëm unë i nis.

Leonard Maçi – Jo, jo shife, shife se e ke me dokument. Jo, jo lexoje poshtë.

Brunilda Aliaj – Aktualisht gjendemi…meqenëse komisioni ka… Uaa. Kush ta dha ty këtë?

Ifejeni Dule – Këtë ma dha kryetarja e komisionit, me detyrë ja kish dhënë drejtoresha e madhe.

Brunilda Aliaj – E nga i ka ardh asaj?

Ifejeni Dule – Nga këtu pra.

Brunilda Aliaj -Jo, kjo është për në prokurori.

Ifejeni Dule – Ky është ndryshimi…

Brunilda Aliaj – Jo, po qenka shumë më e rëndë situata. Të sjelli dhe e mail në emër të KPP-së!!

Ifejeni Dule – Tani kështu më tha mua ajo. Ka ardhur tha nga një ekspert që është i KPP-së.

Ifejeni Dule – Unë dua t’ju dërgoj një e mail zyrtar!

Brunilda Aliaj – Dërgoje tek info, mua më vjen e mail.

Leonard Maçi – Ti nuk do të dërgosh asnjë e mail, për sa kjo çështje duhet sqaruar një herë, e para e punës. Sepse këtu ke të bësh me falsifikim dhe kjo është çështje për prokurori.

Ifejeni Dule – Ajo nesër pas nesër, ma ka thënë verbalisht, s’ta kam thënë unë atë gjë.

Leonard Maçi – Kush ta nisi? A e ke aty?

Ifejeni Dule – Kjo më vjen mua me këtë të printuarën. Gjasme nga e maili. Unë e marr e fotokopjoj.

Brunilda Aliaj – Ja bëre ti fotokopjen?

Ifejeni Dule – Unë e bëra fotokopjen. Po është shkresë A4 mo Nardi…

Brunilda Aliaj – Ta mohon ajo!

Ifejeni Dule – Ma mohon mo Nardi.

Leonard Maçi – Atëherë, sot do t’i thuash- “Të lutem ma jep pak atë e mail-in që ta ardhur nga KPP-ja.

Brunilda Aliaj – Kush ekspert është thuaj, që ta kontaktoj pak atë ekspertin. Ej, po këto nuk janë normale. Institucioni juaj qenka bërë pët t’u çuar tek Fiksi..

Top Channel