Rritet çmimi i sigurimit në Kosovë, BQK justifikon vendimin

21/11/2019 14:52

Policat e sigurimeve për automjete në Kosovë janë rritur 21 ditë më parë nga Banka qendrore e Kosovës dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët që kërkojnë anulimin e vendimit.

Por, në një konferencë për shtyp, Banka qendrore e Kosovës ka justifikuar vendimin për tarifat e kompanive të sigurimit, duke thënë se rritja prej 26.6 për qindësh është marrë për të mbrojtur bartësit e sigurimeve. Guvernatori i bankës, Fehmi Mehmeti tha se vendimi po ashtu synon të garantojë qëndrueshmëri.

“Ne jemi të hapur për të gjitha opsionet, nuk thash që do të ketë zbritje, unë thash që jemi për, që në rast se vlerësohet, ne mundemi të angazhojmë kompani të licencuara ndërkombëtare për të bërë vlerësimin aktual të primit. Deri në atë kohë vendimi është marrë dhe është ky që është”, ka thënë Mehmeti.

Për shkak të pakënaqësisë së shkaktuar, është paralajmëruar që në ditët në vijim të mbahen protesta para selisë së bankës qendrore të kosovës.

“Është e drejtë e secilit me protestua, është e drejtë e secilit të bëjë peticione. Ne nuk marrim vendime populiste, ne jemi profesionistë. Çdo palë e interesuar që ka interes të ulet me ne dhe të diskutojë, ne jemi të hapur. Për herë të parë ka ndodhur ky vendim, nuk është i lehtë. Ka qenë vendim shumë i rëndë, mirëpo jemi detyruar për të ardhur deri te ky vendim. Protestat janë të lejuara me ligj”, shprehet Mehmeti.

Për ekspertët e bankës qendrore të Kosovës, rritja me 26.6 për qind e çmimit të siguracioneve nuk përbën shkelje ligjore dhe nuk është as në kundërshtim me parimet e autoritetit të konkurrencës.

Top Channel