Shqipëria U21 është treguar e pafuqishme ndaj të njëjtës grupmoshë të Anglisë në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, të vlefshme për eliminatoret e Europianit, që u fitua nga “Tre luanët” me rezultatin e pastër 0-3.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi bënë një pjesë të parë të mirë dhe të luftuar, por sfida u zhbllokua në minutën e 22-të, me golin e yllit 19-vjeçar të Manchester City-t, Phil Foden, që mposhti portierin Andrea Hoxha me një goditje dënimi.

Në minutën e 36’ anglezët humbën një 11-metërsh me Breëster, por në të 43-tën Conor Gallagher u la i lirë mbi vijën e 16 metrave dhe me një gjuajtje të fortë, mposhti për herë të dytë portierin Hoxha.

Pjesa e dytë pati një ritëm disi më të ulët për tanët, por edhe anglezët, që filluan të menaxhojnë rezultatin, ndërsa në minutat shtesë ishte sulmuesi i Arsenalit Reiss Nelson që shënoi edhe golin e tretë për “tre luanët”.

Po në grupin e Shqipërisë, Kosova U21 humbi me rezultatin e thellë 4-0 në transfertë ndaj Austrisë, që kryeson bashkë me Anglinë me 12 pikë. Vendi i tretë mbahet nga “Dardanët” me 6 pikë dhe pas tyre renditet Shqipëria me 5.

Top Channel