Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse për 12 personat të cilët janë shtruar të dielën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke verifikuar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë.

Pas rezultateve të analizave, të cilat janë bërë publike pas 48 orëve, ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së kësaj Klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha se rezultatet e analizave nuk kanë treguar ndonjë sëmundje infektive.

“Prej rezultateve të cilat i kemi marrë është konfirmuar që nuk ka sindromë infektive”, tha Ajazaj- Berisha.

Të 12 punonjësit e Komisionit Qendror Zgjedhor janë shtruar në spital pasi në duart dhe fytyrën e tyre, janë shfaqur shenja të një lloj alergjie.

Autoritetet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në kërkim të një laboratori në një shtet të huaj, që do të mund të hetonte substancën eventuale në zarfet me vota, të cilat kanë qenë duke numëruar zyrtarët e KQZ-së.

Aktualisht numërimi i votave të ardhura nga Serbia është pezulluar. Kosova i ofron mundësinë e votimit qytetarëve që kanë shtetësi kosovare por që janë momentalisht rezidentë në vende të tjera. Fleta e votimit shkarkohet prej vetë këtyre zgjedhësve të regjistruar më herët, dhe po ata blejnë zarfet me të cilat i nisin votat përmes postës.

Prokuroria e Kosovës ndërkohë po vazhdon hetimet dhe është ende në pritje të rezultateve të analizave, të cilat janë dërguar jashtë vendit.

Top Channel