Prindërit po përballen me një adoleshencë të hershme të fëmijëve të tyre që në ciklin bazë arsimor.

“Ka fëmijë që zhvillohen shumë herët. Në moshën 9- vjeçare , 10 vjeçare janë të zhvilluar edhe në aspektin seksual por edhe kanë kaluar nga paradoleshenca në një adoleshencë më të hershme. Kjo sepse kushtet klimaterike, mënyra e të ushqyerit kanë ndryshuar dhe niveli I hormoneve më I lartë”, thotë Brunilda Laboviti, psikologe.

Si rrjedhojë e këtij zhvillimi, adoleshentët veprojnë pa menduar dëmin që mund të shkaktojnë. Rasti më i fundit ndodhi pasditen e së premtes, ku një vajzë 13 vjeçare inskenoi rrëmbimin e saj për të kaluar pasditen me shoqërinë e klasës. Ndërsa familjarët e saj prisnin me ankth gjetjen e 13 vjeçares, forca të shumta policie u vunë në lëvizje për të zbardhur ngjarjen, ku u zbulua se rrëmbimi ishte mashtrim.

“Një adoleshent nuk e parashikon pasojën. Domethënë ai e bën, realizon atë që ka dëshirë ,sic ishte dalja me moshatarët e saj dhe ndërkohë nuk mendon çfarë do të ndodh më pas. Qoftë dëmin, traumën që I shkakton familjes apo vetë asaj”, thotë ajo.

Adoleshenca në këtë moshë të vogël, kthehet edhe më e rrezikshme e ndikuar nga disa faktorë.

“Në adoleshencë ndikon shumë edhe shoqëria, e vendimet merren mes moshatarëve. Përveç mungesës së komunikimit me prindërit, pasojat mund të jenë edhe si rezultat i përdorimit të tepërt të teknologjisë e rrjeteve sociale” , shprehet psikologia më tej.

Psikologia klinike, Brunilda Laboviti, këshillon familjet që të tregohen të kujdesshëm në trajtimin e fëmijëve në këtë periudhë delikate, ku edhe pse ju duken fëmijët e vegjël, t’iu lënë hapësirat e tyre.

“Këshilla ime është tërhiq e mos e këput” , thotë ajo.

Top Channel