Mbyllin garën Qerimaj dhe Godelli, Masllavica: Rëndësi ka që arritëm dygarëshin

22/09/2019 17:54

Kanë përfunduar provat e tyre dhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptarë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli.

Të dy këta peshëngritës garonin për peshën deri në 81-kg në baterinë B. Shkodrani në shkëputje ngriti 151 kg në provën e dytë pasi dështoi në të parën, ndërkohë që të tretën nuk e kreu farë, sa i përket stilit të shtytjes Qerimaj ngriti provën e parë me 181 kg dhe nuk doli farë për të konsumuar dy provat e tjera.

Me një total prej 332 kg, ky mund të konsiderohet një rezultat jo i niveleve të vetë Erkand Qerimajt, ndërkohë që ai ka humbur dhe garën me peshëngritësin tjetër shqiptar Daniel Godelli, i cili bëri diçka më mirë, por prapë shumë larg pritshmërive. Ai ngriti 156 kg në provën e parë të shkëputjes dhe dështoi në dy tentativat e tjera për 160 dhe 163.

Edhe në stilin e shtytjes, peshëngritësi nga Peqini ngriti me sukses provën e parë me 185 kg, më pas dështoi për të ngritur në provën e dytë 190 kg dhe në tentativën e tretë u tërhoq. Me 340 kg në dygarësh, Godelli lë pas Qerimajn në klasifikim por në tërësi rezultati i dy nga emrave të rëndësishëm të peshëngritjes shqiptare ka qenë larg synimeve personale. Gjithsesi për presidentin e federatës së peshëngritjes, Theodhor Masllavica ky duhet të konsiderohet rezultat pozitiv.

“Nuk duhet të pretendojmë edhe shumë, rëndësi ka që arritën dygarëshin dhe kjo është diçka pozitive”, tha ai.

Top Channel