Mbrëmjen e së enjtes një defekt në linjën e furnizimit me ujë të Bovillës, pranë Zallherit, la pa ujë mijëra banorë të Tiranës. Kjo i detyroi punonjësit e ujësjellës kanalizime Tiranë, të punonin përgjatë gjithë natës, me qëllim rehabilitimin e furnizimit me ujë.

“Që nga momenti që është konstatuar, ekipet tona kanë qenë përgjatë gjithë natës në terren. Defekti sapo ka përfunduar. Presim që shumë shpejt të kemi një normalizim të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm”, është shprehur Gjebrea.

Bovilla është një nga furnizuesit kryesor më ujë të pijshëm të Tiranës, i cili mbulon disa zona të rëndësishmë siç janë Astiri dhe Yzberishti. Por, për të eleminuar përsëritjen e situatave të tilla, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, po punon për ndërtimin e një linjë të re të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Bëhet fjalë për zgjerimin e kapacitetit të Bovillës si dhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit më ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për ndërtimin e një linjë të re paralele nga diga deri tek impjanti që do ta eleminonte një herë e përgjithmonë problemin e furnizimit më ujë të pijshëm”, ka thënë Evis Gjebrea.

Së fundmi, Tirana ka pasur probleme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona kryesore të saj, çka i ka detyruar banorët që të blejnë ujë nga autobotet. Ndërkaq, institucionet përgjegjëse, janë shprehur se po përpiqen t’i japin një zgjidhje këtij problemi që ka prekur mijëra qytetarë.

Top Channel