Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili doli në një deklaratë për shtyp ku akuzoi edhe njëherë kryeministrin Edi Rama si njeriun “që nuk do që integrimi europian të eci përpara”.

Vasili tha se e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën në vend janë ‘zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

“Shqipëria ka vuajtur nga sundimi i një individi dhe një partie për 45 vjet. Kërkohet reflektim për zgjidhjen e krizës ku është zhytur vendi.
Raporti i OSBE-ODIHR tregoi më së miri situatën ku ne ndodhemi. Shqiptarët nuk mund të përballojnë show-n e Ramës për një ‘Po’ me kushte. Rama, njeriu i vetëm që nuk do që integrimi europian të eci përpara.

Opozita kërkon që negociatat të hapen, duam zgjidhjen e krizës politike . Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë zgjidhje për ne. Të gatshëm për të bërë gjithçka që data 18 të jetë e gëzueshme për shqiptarët’, tha Vasili.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit!

Shqipëria ndodhet sot në një nga momentet e saj më delikate dhe më kritike, lidhur me procesin e integrimit europian. Më pak se një muaj na ndajnë nga marrja e një vendimi jetik për vendin dhe për qytetarët e këtij vendi dhe përpara këtij vendimi ka vetëm përgjegjësi të mëdha, të cilat duhen marrë nga politika shqiptare për të mos ndodhur kurrsesi që Shqipëria të mbetet në udhëkryq, të humbasë trenin e Europës dhe njëherazi të përpiqet më tej të gjejë justifikimin e radhës, i cili nuk shërben për asgjë e nuk i shërben askujt.

Është shumë e qartë që kriza që ndodhet sot Shqipëria është një krizë e shumëanshme, është një krizë kushtetuese, krizë politike, krizë ekonomike, sociale, por mbi të gjitha kriza është krizë e përfaqësimit që do të thotë që vota e qytetarëve shqiptarë ka humbur vlerën e kësisoj ndarja dhe kontrolli i pushteteve ka rënë në Shqipëri duke instaluar një monizëm oligarkik.

Kjo situatë kërkon një reflektim të thellë, kërkon një mentalitet krejtësisht të ri, kërkon vënien e interesave të vendit përpara çdo interesi tjetër pasi Shqipëria rrezikon një izolim të vërtetë politiko-ekonomik. Duhet kuptuar nga të gjithë ju qytetarë dhe qytetare, se ecja në integrimin europian do të thotë krijimi i hapësirave të reja, krijon mundësinë e rrënjosjen e një mentaliteti europian, i cili do të thotë mbizotërim dhe sundim i shtetit të së drejtës dhe jo shtetit të individit, funksionimi i një sistemi dhe jo funksionimi i një individi. Funksionimit të të gjitha hallkave të pushteteve të ndara dhe jo sundimin e një individi.

Shqipëria ka vuajtur në mënyrë të pashembullt si asnjë shtet tjetër nga sundimi i një individi dhe një partie për 45 vite me radhë dhe fundi ka qenë tragjik si i asnjë kombi tjetër. Ju e dini shumë mirë që tragjedia, eksodi i jashtëzakonshëm, emigracioni i tmerrshëm dhe privacionet ekonomike e bënë Shqipërinë absolutisht që në fund të viteve 90 të ishte vendi i 3 më i varfër në glob.

Sot, Shqipëria nuk mund të luajë me fatet e saj dhe as më pak këtë nuk mund ta bëjë qeveria moniste e Edi Ramës. Ndaj kërkohet një reflektim shumë i thellë për t’u përballur e për të zgjidhur krizën e shumëanshme në të cilën është zhytur vendi. Është shumë e qartë që raporti i OSBE-ODIHR, i një organizate e cila me autoritetin, paanshmërinë, është bërë absolutisht gjykatësi i pa diskutueshëm i situatave zgjedhore në Shqipëri, ishte njëherazi edhe një skaner i një situate të të gjithë funksionimit të shtetit në të gjitha shtresat e tij, që nga pushteti ligjor, legjislativ e të tjerë, dhe ky raport provoi qartë që Kushtetuta u mor nëpër këmbë nga individi shtet dhe partia shtet.
Gjithçka u shkel, drejtësia u bë peng e shantazheve dhe presioneve dhe gjithçka që lidhet me shtetin e së drejtës u rrënua në tokë duke vendosur pushtetin e sundimtarit mbi pushtetin e qytetarit.

Demokracia është pushtet i qytetarëve të cilët me votën e tyre vendosin për fatet e vendeve të tyre. Çështja e Integrimit Europian dhe vendimi shumë i rëndësishëm i datës 18 është një moment i qartë për këdo, nuk ka dhe nuk mund të ketë alibira politike, nuk ka dhe nuk mund të ketë lojëra politike, nuk ka dhe nuk mund të ketë shoë politik i të gjitha formave dhe mënyrave, por vetëm veprime madhorë politike për zgjidhjen e krizës të cilat do të konkludojnë me hapjen aq të dëshiruar të negociatave, pasi shqiptarët nuk kanë asnjë nevojë dhe nuk mund të përballojnë në kurriz shoën e radhës, të ashtuquajturën pranim me kushte apo por me kushte të tjerë, të cilët do të thoshin as më shumë dhe as më pak rishikimi i t njëjtave filma po e them në mënyrë figurative për vite me radhë të cilat nuk shkojnë asnjë hap përpara, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera fqinje që janë në të njëjtën garë për Integrimin Europian ecin përpara dhe prosperojnë.

Shqipëria ka nevojë për një datë të qartë, pa kushte e cila kërkon punë konkrete duke hapur kapituj përkatës, të cilët vendosin të gjithë shtetin e së drejtës dhe shtetin në përgjithësi në Shqipëri në shinat e plota të ligjit nga ku ai ka dalë përfundimisht, pra të nderuar qytetarë dhe qytetare, shqetësimi madhor tronditës për integrimin është një shqetësim që duhet të shoqërojë politikën shqiptare, por në mënyrë të veçantë qeverinë dhe mazhorancën, e cila është përgjegjësja e vetme për kryerjen e këtij procesi.

Ne të gjithë e dimë që Edi Rama është njeriu i vetëm që nuk është i interesuar që vendi të eci përpara, pasi ecja përpara ne integrimin europian do të thotë standarde të reja të cilat janë të papajtueshme me të, do të thotë çlirim të shtetit nga kapja, çlirim nga korrupsioni, fund pandëshkueshmërisë e cila mbron zyrtarët e të gjithë niveleve dhe korrupsionet e tyre dhe kjo është pikërisht ajo që Edi Rama nuk do. Ne e dimë që kemi vetëm një armik në këtë mes i cili është pikërisht vetëm Kryeministri i vendit, i cili në funksion të axhendave të tjera pra jo të integrimit europian është i gatshëm ta sakrifikojë dhe po e sakrifikon integrimin europian në funksion të këtyre axhendave që janë anti europiane dhe personale të tijat në çdo rast. Prandaj opozita shqiptare ka kërkuar dhe kërkon do instistojë dhe do investohet siç është investuar me të gjithë fuqitë e saj që negociatat të hapen.

Ajo ka kërkuar dhe kërkon dhe ka lobuar dhe bën gjithçka që të hapen. Ka kërkuar në funksion të kësaj zgjidhjen e krizës politike të shumë anshme të vendit, që thashë edhe njëherë është kushtetuese, shoqërore, ekonomike dhe përfaqësimin duke filluar nga kyçi i shërimit që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pa zgjedhje të lira e të ndershme ku qytetarët të shprehen qartë me vullnetin e tyre se cilët janë ata që duhet ti udhëheqin dhe kanë besim që ti udhëheqin nuk mund të ketë ecje përpara të integrimit europian dhe zgjidhje të krizës. Papërgjegjshmëria duhet të marri fund njëherë e përgjithmonë. Atdheu, principet e shenjta, ecja përpara e tij, prosperimi i tij është ajo që duhet të udhëheqi të gjithë dhe është pikërisht këtu një thirrje e re për qeverinë që të heqë dorë nga axhendat personale.

Të heqi dorë nga interesi i xhepave të vet, por të shikojë interesat e Shqipërisë të cilat janë shumë më të rëndësishme pasi mazhoranca që vijnë e ikin ka plot ndërsa Shqipëria është aty dhe e mira dhe e keqja është një gjë që bie gjithmonë në kurrizin e qytetarëve të ndershëm. Jemi të gatshëm këtu për të bërë gjithçka që 18 të jetë një ditë e rëndësishme e gëzuar për shqiptarët dhe të mos jetë një ditë dëshpërimi ashtu siç do të donte mazhoranca e rilindjes dhe kryeministri i saj që të ndodhte.

Top Channel