Në kampionat po bën gjithçka mirë në këtë start sezoni, por Interi i Antonio Contes ka zhgënjyer tërësisht në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, ku nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë çekëve të Slavia Pragës.

Para syve të pronarit të skuadrës, Zhang Jindong, zikaltrit bënë një paraqitje nën nivelin mesatar, duke ndërtuar shumë pak aksione dhe duke vuajtur ndjeshëm presingun e kundërshtarëve.

Nga ana tjetër çekët treguan një grintë të jashtëzakonshme dhe arritën të mbajnë larg nga zona e rrezikut zikaltrit, ndërsa në minutën e 63-të gjetën edhe golin e avantazhit me anë të ish sulmuesit të Skënderbeut të Korçës, Peter Olayinka.

Por Antonio Conte nuk mund të pajtohej me këtë rezultat dhe në minutën e 71-të aktivizoi menjëherë Politanon e Barellën, në vendin e Lautaro Martinez e Brozoviç, ndërsa skuadra filloi të lëvizë më shpejt dhe të tentojë golin e barazimit.

Megjithatë “kalaja” çeke ishte ndërtuar mirë dhe rrallë ndodhte që të zotët e shtëpisë të depërtonin në zonë, duke u detyruar shpesh të kërkojnë goditjen nga distanca, ndonëse asnjë herë me rezultatin e dëshiruar.

Në minutën e dytë shtesë ishte Sensi që ekzekutoi në mënyrë mjaft të saktë një goditje dënimi, me topin që u përplas në traversë dhe u kthye në lojë, aty ku Barella gjuajti menjëherë dhe arriti ta dërgojë në rrjetë.

Goli rindezi entuziazmin te zikaltrit, që tentuan me disa aksione për të gjetur edhe golin e përmbysjes, por nuk ia dolën të dërgojnë sërish topin në rrjetën e çekëve, duke u mjaftuar me vetëm një pikë.

Inter merr kështu vetëm një barazim zhgënjyes në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, përballë kundërshtarit më të dobët të grupit dhe për më tepër në shtëpi, duke treguar se në Europë ka limite dhe se kalimi i grupeve do të jetë vërtetë i vështirë.

Top Channel