Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon ti bëjë apel FIFA-s dhe UEFA-s për të ndalur strukturat paralele në këtë sport në veri të vendit, por pavarësisht thirrjeve, në Beograd nuk i ndalin provokimet.

Këtë javë është hedhur shorti për 1/16-tat e Kupës së Serbisë dhe përballjet kanë qenë intriguese.

Më 25 shtator Crvena Zvezda do të zbarkojë në Mitrovicë për të luajtur kundër Trepçës. Kjo e fundit, një skuadër modeste dhe pa pretendime militon në Ligën e e Tretë të Serbisë dhe deri tani ka zhvilluar 7 ndeshje duke regjistruar 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Skuadra nga Beogradi prite të zbarkojë me një numër të madh tifozësh si shenjë e qartë provokimi në shtetin më të ri të Europës, por që Serbia e pretendon më kot ende si pjesë të sajën.

Ndonëse Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht ka tentuar të ndalonte aktivitetin e klubeve serbe në Kosovë, garat po vazhdojnë pa problem. Muaj më parë kreu i FFK-së, Agim Ademi, i ka shkruar letër zyrtare UEFA-së dhe FIFA-së, që të ndërhyjë në Federatën Serbe të Futbollit për të ndaluar këto gara ilegale që zhvillohen në territorin e Kosovës.

Më parë Crvena Zvezda ka zhvilluar disa miqësore në territorin e Kosovës, me ekipin e Granicës. Në një rast, policia ka ndaluar dhe një futbollist nga Uganda, shtet që ende nuk e njeh Kosovën si shtet sovran.

Top Channel